LSI: Babëzia e qeverisë po varfëron shqiptarët
TIRANE- Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Edmond Haxhinasto deklaroi sot se “Qeveria ka dështuar me kthimin e pronave, me ndalimin e informalitetit madje babëzia e saj mban peng zhvillimin e vendit”. Ai theksoi se vjedhja e tokave në bregdetin e Kavajës është skandali i radhës i qeverisë, i cili ka mundur të zbardhet dhe të bëhet publik.
Më tej, Haxhinasto deklaroi se qeveria gjithashtu "Ka dështuar me kthimin e pronave, ka mashtruar pronarët pasi u ka marr votën e vitit 2005 duke krijuar më pas një xhungël legjislative duke djegur më pas edhe fondet nga buxheti i shtetit për kompesimin e tyre”.
“Kjo Qeveri është sulur së fundmi mbi tokat publike, me synimin se tokat publike mund të vidhen lehtë se janë se janë mall pa zot. Qeveria ka dështuar me legalizimin, ka mashtruar më mijëra qytetarë në zonat informale se brenda gjashtë muajsh të qeverisjes së saj, do të riparohej ky proces"-vazhdoi më tej Haxhinasto.
Sipas Lëvizjes Socialiste për integrim, "Kjo qeveri jo vetëm që nuk mund të zbatoj edhe një herë premtimet e saj por tashmë babëzia që e karakterizon ka marr peng dhe zhvillimin e vendit duke vjedhur e varfëruar çdo ditë shqiptarët”.
(e.n/ Balkanweb)