Frytet e kundërshtimit qytetar
Njoftimi është i shkurtër. Teksti thotë: “E dashur M. Falemnderit për e-mailin tuaj të datës 13 qershor 2008 lidhur me projektin e terminalit Petrolifera. Ju lutem mësoni se ky projekt nuk është më në shqyrtim nga BERZH.... Me përshëndetje të përzemërta! Michaela S. Bergman, Departamenti i Mjedisit dhe Zhvillimit të qëndrueshëm, BERZH”.
Një përgjigje e tillë e thatë të lë përshtypjen sikur fjala ishte për një nga kërkesat e shumta që mund të mbërrijnë në dyert e një banke të madhe si BERZH e që për arsye nga më të ndryshmet, refuzohet pa u shqyrtuar.
Në të vërtetë fjala është për një nga projektet më të kundërshtuara të viteve të fundit, një projekt që ka filluar të zbatohet dhe që, po u realizua shënon, bashkë me TEC-in, ndryshimin e fytyrës së Gjirit të Vlorës, nga areal i jashtëzakonshëm natyror, historik e kulturor në një pellg të thellë detar të destinuar për biznese të ndryshme industriale, në radhë të parë ato të naftës: projekti Petrolifera. I nisur nga modeli TEC, që po financohet prej tri bankave të mëdha: BERZH-it, Bankës Botërore dhe Bankës Europiane të Investimeve në një total prej 120 milionë euro, Petrolifera i ishte drejtuar pikërisht Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim për të përfituar një kredi në një minimum prej 13 milionë eurosh. Gjasat nuk dukeshin të këqija, pasi, sikurse shkruhet edhe në dokumentacionin e Petroliferës (Termat e referencës pranë Gjyqit të arbitrazhit në Paris, 20 nëntor 2006, pika 3.2.7 b), funksionimi i TEC-it është i lidhur ngushtë me përdorimin e faciliteteve të terminalit të Petroliferës. Dhe, përderisa projekti TEC financohej në mënyrë kaq bujare nga BERZH-i, me 40 milionë euro, dhe qeveria shqiptare kishte hequr çdo pengesë të mundshme që projekti Petrolifera të realizohej: dorëzim para gjyqit të arbitrazhit në Paris në datën e sipërpërmendur, shitjen e të paktën 60 hektarëve tokë në zonën e ish-Fabrikës së Sodës për 1 euro (me fjalë: një euro) nga ministri Genc Ruli presidentit të Petroliferës Italo-Shqiptare, Guido Ottolenghi më 5.4.2007, pra përderisa rrethanat e tjera ishin kaq të mbara, nuk mund të pritej ndonjë refuzim kreditimi. Për më shumë që bëhej fjalë për bizenese të naftës dhe nënprodukteve të saj, të cilat janë kthyer sot, me spiralën e ngjitjes aktuale të çmimit, në biznesin ndoshta më fitimprurës në botë; e pra kthim i sigurt i kredisë.
Në muajin nëntor, në përputhje me rregulloren e brendshme të BERZH-it, Petrolifera botonte Vlerësimin e Ndikimit mbi Mjedis për të pritur vërejtjet e qytetarëve, organizatave mjedisore etj.
Ndërkohë në Vlorë vetë rritej protesta qytetare kundër realizimit të terminalit dhe depozitave të Petroliferës. Një numër demonstratash, mitingjesh, koncertesh paqësore etj., që kishin nisur qysh më 2005, vendimmarrësit qendrorë dhe ata lokalë, edhe nën veprimin e parasë së dukshme dhe asaj të padukshme, nuk po i impresionin më. Atëherë zemërimi i grumbulluar gjeti rrugë të tjera më të drejtpërdrejta shpërthimi: sulm me vezë dhe naftë të tretur mbi portavoce-n e Petroliferës në Vlorë në nëntor 2007, bllokim i rrugës për në kantier për ditë e net me radhë në kapërcyell të dy viteve, pushtim paqësor i territorit nga mijëra qytetarë më 6 janar 2008, një numër protestash të tjera në muajt në vijim, arrestim dhe keqtrajtim i drejtuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës më 1 prill 2008, gjyqe të hapura për katër prej tyre.
Të gjitha këto ngjarje natyrisht që nuk parashikohen si oponencë në rregulloret e një banke të madhe sikurse është BERZH. Një bankë e rregullt njeh vetëm dokumente të rregullta. Të tilla ndërkohë po vinin me dhjetëra, jo vetëm nga individë dhe organizata shqiptare, por edhe të huaja, sikurse është CEE (Bankwatch Network). Nuk munguan edhe përballje në shtyp: përfaqësuesi i BERZH-it në Shqipëri mohonte në një letër botuar në “Shekulli” më 3 maj 2008 që kjo bankë të kishte shqyrtuar ende projektin në fjalë, ose ta kishte shtyrë vendimin e saj (që pritej prej janarit 2008) për shkak të ndonjë proteste qytetare etj., diçka që pohoja më parë këtij botimi në një shkrim pas një debati të tensionuar me nënpresidentin e BERZH-it, Varel Freeman, në prill në Tiranë.
Këto hollësira ndoshta sot nuk kanë rëndësi. I rëndësishëm është ai komunikimi i thatë: BERZH-i nuk e ka më në shqyrtim projektin Petrolifera. Për herë të parë ndodh në Shqipëri që një projekt i huaj dhjetramilionësh, që ka përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare, refuzohet nga një bankë, e cila përgjithësisht plotëson dëshirat e kësaj qeverie, për arsye të protestave masive qytetare. Vetë banka ndoshta nuk do ta pranojë ndonjëherë se shkak i refuzimit ishin vezët e studentëve të Vlorës, mijërat e qytetarëve që shpërthenin dyert e kantierit dhe grisnin tabelat e hyrjes, aleancistët që gdhinin netët më të ftohta të dimrit te rruga e bllokuar me goma, pranë kafe “Referendumit”. Sepse një bankë e mirë kërkon letra të mira.
Por me sa duket qytetarët shqiptarë po dinë të paraqesin ndërkohë edhe letra të mira, në disa gjuhë. I kanë bërë këto paralelisht veprimit konkret. Ndaj njoftimi i djeshëm merr një kuptim të veçantë, sidomos kur ke parasysh se Petrolifera është vetëm njëri nga projektet e qeverisë Berisha për kthimin e shumë pikave të Shqipërisë në depozita mbeturinash fosile, toksike dhe bërthamore për industritë e huaja. Gjithomonë në kuadrin e vizionit të tij sa shterp aq dhe të rrezikshëm, sa pasiv aq dhe radioaktiv: Shqipëria një euro.
Shumë vetë na pyesnin dje dhe sot që shkruajmë: Po mirë, po në Vlorë do të vazhdojë ndërtimi i Petroliferës, tani pas këtij moskreditimi? Gjasat janë që do të vazhdojnë, qoftë dhe me hapa minimalë. Sepse një dhuratë kaq e madhe, 60 hektarë për një euro, mu buzë gjirit më të thellë e më të afërt me Italinë, nuk të vjen përditë. Do vazhdojnë të hedhin beton, të mitosin ata që duhet, të japin përshtypjen se janë ngulur aty përjetë, të gjejnë diku tjetër para, ndoshta jo aq të thjeshta e të pastra sa nga Banka që shpresonin, por sidoqoftë para.
Ndërsa si do të vazhdojë kundërshtimi në Vlorë e më gjerë, kjo është një pyetje tjetër.