E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat shkelin ligjin, asnjë ditë shtyrje për TVSH-në

 

Shkelet ligji, doganat nuk lejojnë asnjë ditë shtyrje për TVSH-në e makinerive dhe pajisjeve

Buxhuku: Bllokohen 12 milionë euro investime, doganat nuk shtyjnë pagesën e TVSH-së

“Vetëm gjatë ditëve të fundit 12 biznese të mëdha, pjesë e grupit të industrialistëve u është refuzuar shtyrja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për shuma investimesh që shkojnë në rreth 12 milionë euro. Pra bëhet fjalë për një vlerë të TVSH-së prej 2.4 milionë euro, që këto biznese duhet ta paguajnë parapagim. Kjo nuk është e drejtë dhe është një shkelje flagrante e ligjit. Ne jemi në tratativa të vazhdueshme me qeverinë dhe këtë problem ia kemi paraqitur edhe organeve të fiskut, puna e të cilave mbetet për të dëshiruar”

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar duke qenë në nivelin 20 për qind, zë një pjesë të konsiderueshme të investimeve që realizohen nga biznesi dhe sipas vendimit të miratuar nga qeveria sipërmarrjes i lind e drejta që të kërkojë shtyrje të pagesës së TVSH-së deri në një vit

Pas rreth një viti që ka hyrë në fuqi, vendimi për shtyrjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë e pajisjet, doganat thuajse e kanë harruar këtë vendim që është tejet i rëndësishëm për biznesin vendas. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar duke qenë në nivelin 20 për qind, zë një pjesë të konsiderueshme të investimeve që realizohen nga biznesi dhe sipas vendimit të miratuar nga qeveria sipërmarrjes i lind e drejta që të kërkojë shtyrje të pagesës së TVSH-së deri në një vit. Por nga ana e doganave ky vendim thuajse nuk zbatohet, ose zbatohet vetëm në raste të veçanta ku sebep janë marrëveshje korruptive midis palëve. Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, e vlerëson moszbatimin e këtij vendimi me pasoja të rënda për zhvillimin e biznesit në vend. “Vetëm gjatë ditëve të fundit 12 biznese të mëdha, pjesë e grupit të industrialistëve u është refuzuar shtyrja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për shuma investimesh që shkojnë në rreth 12 milionë euro. Pra bëhet fjalë për një vlerë të TVSH-së prej 2.4 milionë euro, që këto biznese duhet ta paguajnë parapagim. Kjo nuk është e drejtë dhe është një shkelje flagrante e ligjit. Ne jemi në tratativa të vazhdueshme me qeverinë dhe këtë problem ia kemi paraqitur edhe organeve të fiskut, puna e të cilave mbetet për të dëshiruar”, - tha Buxhuku. Përfaqësuesi i Konfindustrisë bën me dije se rastet kur një biznes po përfiton shtyrje të TVSH-së është kthyer në një fenomen gjithnjë edhe më të rrallë. “Rastet kur investime tejet të rëndësishme po përfitojnë shtyrje në pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar po bëhen gjithnjë edhe më të pakta, për të mos thënë se ky vendim nuk zbatohet fare. Kjo shkelje flagrante e ligjit vjen në një kohë që sipërmarrja është nën një presion në rritje nga konkurrentët jashtë kufijve të cilët kanë favore të mëdha në pagesën e taksave. Pas Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë biznesi vendas mbetet i zbuluar ndaj konkurrencës nga jashtë, e cila nuk e paguan TVSH-në parapagim, por në momentin që realizohet transaksioni. Kjo për mallrat e konsumit, pasi për investimet vendet e rajonit dhe Greqia e Italia kanë një sistem tërësisht të favorshëm”, - tha Buxhuku.

Investimet, pagesa e TVSH-së pas një viti

Sipas vendimit të fundit të qeverisë, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për makineritë e pajisjet mund të shtyhet në një afat kohor për t’u paguar deri në një vit nga ana e biznesit. Por sipas përfaqësuesve të biznesit edhe pagesa e TVSH-së parapagim për mallrat e tjerë që importohen, është e padrejtë. “Në një kërkesë që i kemi bërë Ministrisë së Financave, kërkojmë që edhe pagesa për mallrat e tjerë dhe jo vetëm për makineritë e pajisjet të paguhet në momentin që realizohet transaksioni dhe jo në parapagim. Vetëm në Shqipëri zbatohet një metodikë e tillë, duke bërë që biznesi të vihet në vështirësi për likuiditete”, - tha Buxhuku.

Por një pjesë e rëndësishme në këtë kaos ligjesh që nuk zbatohen zë edhe ndryshimi shumë i shpejtë i vendimeve. Shpeshherë këto ndryshimi realizohen nga ana e Ministrisë së Financave në formën e urdhrit të ministrit. Administrata doganore gjendet e papërgatitur para klasifikimit të këtyre mallrave që importohen nga ana e biznesit. Megjithëse bizneset bëjnë të ditur se makineritë dhe pajisjet që importohen janë të shoqëruara edhe me projektet e investimit, nga ana e doganave ato vlerësohen si mallra tregtie dhe kërkohet që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të paguhet në parapagim. Një problem i tillë sipas sipërmarrjes vjen vetëm për shkak të skemës së dështuar të mbledhjes së TVSH-së që paguhet në parapagim që në momentin që malli zhdoganohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›