E Diel, 1 Nëntor 2026

Wilson: Çështja e pronave pengon investimet e huaja

 

Intervista/Ambasadori anglez shprehet se Shqipëria është një vend i pasigurt për investimeDiplomati britanik në Tiranë, Fraser Andrew Wilson evidenton një sërë problemesh, si çështja e pazgjidhur e pronës, mungesa e garancisë për drejtësi në gjykata, infrastruktura, elektriciteti etj., që përbëjnë faktorë që pengojnë investimet e huaja në Shqipëri. Gjithashtu ai vlerëson të paefektshme në këtë drejtim edhe nismën e kryeministrit Berisha, “Shqipëria 1 Euro”. Wilson vlerëson si problematik për vendin tonë edhe mungesën e seriozitetit në zbatimin e ligjeve.

Një proces i komplikuar historik-gjeografik mes shqiptarëve dhe Mbretërisë së Bashkuar, që në 20 vitet e fundit është përmirësuar bindshëm. Si e shikoni të ardhmen?

Mendoj se gjërat kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë në 20 vitet e fundit. Kujtojmë se në fakt para 20 viteve nuk ka pasur fare marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Tashmë mes nesh kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Mendoj se kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Nuk shoh ndonjë arsye që të mos vazhdojnë në këtë mënyrë. Është po kaq e rëndësishme të thuhet se Shqipëria do të jetë shpejt anëtare e Aleancës, një anëtare e NATO-s dhe natyrisht në terma afatgjatë dhe në terma jo shumë të gjatë, Shqipëria dhe UK do të jenë së bashku anëtarë të BE-së. Kjo do të çojë në të gjitha llojet e bashkëpunimit të mundshëm në mes dy vendeve.

Çfarë peshe specifike zë Shqipëria krahasuar me vendet e tjera ballkanike në strukturat tuaja diplomatike?

Rajoni i Ballkanit është shumë i rëndësishëm për Britaninë, dhe kjo është parë nga një valë interesash që ne kemi ndërmarrë në këtë hapësirë. Shqipëria nuk ka problemet që kanë disa nga vendet e tjera ballkanike. Në fakt Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm moderues, veçanërisht me anë të pikëpamjeve të moderuara që janë prezantuar nga politikanët e Shqipërisë, dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse stabiliteti i rajonit është ajo që ne dëshirojmë të shikojmë. Dhe ne besojmë se rruga më e mirë përpara këtyre vendeve është që të lëvizim në drejtim të anëtarësimit në BE.

Përfaqësoni një nga vendet që e ka ratifikuar MSA-në me Shqipërinë. Është ky një inkurajim për rrugën e Shqipërisë apo thjesht një formalitet për familjen evropiane?

MSA nuk është një formalitet. Ajo është një stad i rëndësishëm në procesin në drejtim të BE-së. Procesi i ratifikimit është duke lëvizur përpara dhe qetësisht në të gjithë vendet e BE-së. Britania e Madhe e ka ratifikuar atë tashmë. Është e rëndësishme që Shqipëria të ndërmarrë hapat e nevojshme për të siguruar se është në linjë me ligjet e Bashkimit Evropian (Acquis). Deri kur Shqipëria do t’i bashkohet BE-së, është e nevojshme që të ketë pajtueshmëri të plotë me ligjet e BE-së, Acquis. MSA është një hap në këtë proces. Është e rëndësishme që ligjet që kalojnë tashmë në Shqipëri të jenë krejtësisht në pajtim me kërkesat e BE-së, Acquis. Përveç kësaj, ka ende punë për t’u kryer për zbatimin e këtyre ligjeve. Shumë nga ligjet kanë kaluar, por zbatimi i tyre nuk ka qenë i mirë. Ne shpresojmë që në të ardhmen do të shikojmë shumë më tepër implementim nga ana e Shqipërisë. Shumë ligje janë fare afër standardeve të BE-së dhe disa jo. Është e rëndësishme që ato të shkojnë afër dhe me afër këtyre standardeve.

Pse këmbëngul qeveria e Madhërisë së saj kryesisht në reformën në sistemin e drejtësisë?

Unë nuk mendoj se jemi përqendruar vetëm në sistemin gjyqësor. Por kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e reformës. Ne besojmë se reformat elektorale, administrative, dhe një varg i tërë reformash të tjera, janë shumë të rëndësishme. Sistemi i drejtësisë, sundimi i ligjit, është shumë i rëndësishëm për çdo vend demokratik. Nuk mund të të kesh demokraci të vërtetë nëse nuk do të kesh sundimin e vërtetë të ligjit. Kjo do të thotë që sistemi i drejtësisë duhet të jetë i ndershëm, ai duhet që të sigurojë barazi, një sistem, në të cilin ligji aplikohet fuqimisht dhe i njëjtë për të gjithë njerëzit.

A jeni në dijeni të atyre që fliten për korrupsionin në Shqipëri?

Po, jemi në dijeni. Raportet e fundit përfshirë edhe atë të “Transparency International” tregojnë se korrupsioni është parë si një problem i vërtetë në Shqipëri nga popullsia e saj. Ne, po ashtu mendojmë se ky problem duhet të zgjidhet. Korrupsioni është një gjë shumë brejtëse për çdo vend. Ai dëmton të gjithë strukturën e drejtësisë dhe çdo gjë tjetër. Dhe ai duhet të merret shumë seriozisht.

Kuvendi rrëzoi disa ditë më parë pesë dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pra përsa i përket dekreteve të z.Topi, cili është komenti juaj?

Nuk mund të komentoj në çështjet e brendshme. Dhe, kjo është kthjelltësish e brendshme për Shqipërinë. Gjëja më e rëndësishme për të gjitha këto çështje është që ato të bëhen thjesht në mënyrë konstitucionale. Nëse ka një pozicion konstitucional që na mundëson të bëjmë gjera në këtë rrugë, atëherë kjo është në rregull. Por, kjo ka të bëjë dhe me strukturat e ndryshme të pavarura të qeverisë. Qeveria dhe Presidenti janë konstitucionalisht trupa të ndara dhe kjo është shumë e rëndësishme. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm po ashtu është e pavarur. Sistemi gjyqësor në përgjithësi është i pavarur dhe kjo është e rëndësishme. Prandaj ka shumë rëndësi që këto të mbahen të ndara. Nëse proceset kryhen konstitucionalisht atëherë unë nuk do të kritikoj askënd.

Si e shikoni në këtë aspekt procesin e imuniteteve në Kuvendin shqiptar dhe fshehjen e disa deputetëve pas tij?

Nuk kam për qëllim të komentoj direkt në pozitat e Shqipërisë. Por le të flasim për pozicionin në Britani. Në Britani askush nuk ka imunitet përveç Mbretëreshës. Deputetët, Gjykatësit, prokurorët, të gjithë trajtohen ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë si të gjithë qytetarët. Dhe kjo besoj është shumë e rëndësishme. Ju nuk mund të keni shoqëri të vërtetë demokratike, nëse njerëzit tolerohen kur thyejnë ligjin. Në Britani, për shembull, nëse një deputet do të thyejë ligjin, qoftë kjo një kundravajtje e thjeshtë në trafik, si për shembull duke parkuar në një vend të gabuar, apo një shkelje më të rëndë, ata pa asnjë hezitim do të dërgohen para gjyqit dhe kështu ndodh në fakt, dhe kjo është plotësisht e drejtë. Dhe ky është një sistem që punon kaq mirë në Britani.

Si i shikoni marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe ku i shikoni pikat ku mund të bashkëpunohet në të ardhmen?

Kjo është një pyetje që mua më është bërë shpesh dhe është e vështirë për t’u përgjigjur. Unë kam disa shqetësime, përsa i përket investimeve të huaja direkte, kryesisht atyre nga Britania. Ka një numër problemesh mbi investimet për tu zgjidhur në Shqipëri në këtë moment. i pari nga të gjitha, do të thosha, lidhet me titullin e pronësisë. Është shumë e vështirë për dikë që do të vijë këtu dhe të ndërtojë një fabrikë apo një hotel, apo zyra çfarëdo qoftë, sepse realisht nuk e dinë se kujt i përket prona. Derisa kjo të zgjidhet blerja apo dhënia me qira e pronës është shumë e komplikuar. Veç kësaj është sistemi i drejtësisë. Kompanitë e huaja duan të dinë se, nëse do të shkojnë në gjyq ato do të përballen me një gjykim të drejtë. Dhe kjo është e rëndësishme. Pastaj çështja e infrastrukturës, rrugëve, elektricitetit, ujit. Ka shumë probleme në të gjitha këto. Ato po zgjidhen dhe do të zgjidhen në një të ardhme jo të largët. Shqipëria është një treg i vogël. Nëse do të shihni si të tërë rajonin e Ballkanit, kjo do të thotë që është një treg i madh. Kështu që ka një mundësi duke shtrirë biznesin, duke ardhur këtu, dhe pastaj duke e zhvilluar dhe në vende të tjera. Kjo është një mundësi, por që natyrisht nuk mund të aplikohet për të gjitha bizneset. Në të ardhmen zhvillimi në Shqipëri ka të ngjarë që të jetë i mundshëm më shumë në infrastrukturë dhe më shumë në turizëm. Por ka shumë probleme për t’u vënë në rregull dhe këtu. Një gjë është shqetësuese për turizmin dhe është ai që njerëzit duan të vijnë në Shqipëri për bukuritë dhe plazhet e saj, për malet, dhe prandaj është e rëndësishme që mjedisi nuk duhet harruar. Mjedisi duhet të mbrohet me qëllim që të fillojnë investimet.

Si e mendoni propozimin e për planin e qeverisë Berisha: “Shqipëria 1 Euro”

Është një ide për të tërhequr investime. Unë do të sugjeroja se investitorët nuk tërhiqen thjesht me idenë e “Shqipërisë 1 Euro”. Kuptohet që ata mund të tërhiqen prej kësaj, por problemet e tjera duhet të zgjidhen në të njëjtën kohë.

Marrë me shkurtime nga “MAPO”

Box

Për pronat

“Është shumë e vështirë për dikë që do të vijë këtu dhe të ndërtojë një fabrikë apo një hotel, apo zyra çfarëdo qoftë, sepse realisht nuk e dinë se kujt i përket prona. Derisa kjo të zgjidhet, blerja apo dhënia me qira e pronës është shumë e komplikuar”

Për imunitetin

“Në Britani askush nuk ka imunitet përveç Mbretëreshës. Deputetët, Gjykatësit, prokurorët, të gjithë trajtohen ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë si të gjithë qytetarët. Dhe kjo besoj është shumë e rëndësishme. Ju nuk mund të keni shoqëri të vërtetë demokratike, nëse njerëzit tolerohen kur thyejnë ligjin”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›