Fshati kryezi i Fushë-Arrëzit, banorët e zonës hapin bujtina për të përballuar fluksin e turistëve

Zona malore e Pukës, në qendër të Shqipërisë Veriore, dallon për ajrin e pastër, klimën e shëndetshme dhe ushqimin cilësor të traditës shqiptare.
Mjaftë bujtina janë ngritur në shumë fshatra të zonës, mes tyre edhe në fshatin Kryezi.
I ndodhur vetëm pesë kilometra nga Fushë Arrëzi, Kryeziu po preferohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas e të huaj.
Këta të fundit janë kryesisht polakë, çekë e gjermanë.
Sipas menaxherit të njërës prej bujtinave, turistët pëlqejnë më shumë gatimet sipas traditës së hershme vendase, ku spikasin flia në saç, mishi i pjekur i kecit, viçit dhe pulat e fshatit.
“Jam nga Gjermania dhe dëshira për të vizituar Pukën është e kahershme. Ka shumë pastërti. Më bën përshtypje freskia, ajri i pastër me malet e pyjet e shumta. Ushqimet e traditës mbeten shumë të preferuara për ne“ thotë për RTSH një turist gjerman.
“Jam nga Sllovenia dhe sapo po vij nga Liqeni i Shkodrës. Në një platform internet lexuam për fshatin Kryezi të Pukës. Dëgjuam për ushqimin tradicional dhe të shijshëm dhe ndaj vendosëm që të vijmë ta provojmë, mbetëm shumë të kënaqur” thotë një turist slloven.
Agroturimi po merr zhvillim në Kryezi e fshatra të tjera të Bashkisë Fushë-Arrëz. Duke parë fluksin e madh të turistëve, banorët e zonës janë përqëndruar tashmë në ndërtimin e sa më shumë bujtinave, për të hapur dyert e prezantuar mikpritjen shqiptare.
Gazetar Mario Merhori
/ rtsh /