E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati si në kohën e ekonomisë në natyrë

Në ka tregues që shpreh nivelin real të varfërisë në jetën e një vendi ky padyshim është standardi i jetesës në zonat rurale. Këtu padyshim hyjne punësimi dhe lëvizjet e detyruara demografike; gjendja e infrastrukturës (rrjeti rrugor, furnizimi me ujë dhe energji elektrike); kujdesi shëndetësor; arsimi dhe cilësia e tij; mbështetja sociale për kategori të ndryshme të banorëve në fshat etj. Po ashtu të rëndësishme janë masat për mbështetjen e biznesit dhe zhvillimin e prodhimit në fshat, mekanizimi i proceseve bujqësore, sistemi i kanaleve të vaditjes dhe kullimit dhe mbi të gjitha zgjidhja e problemit të kokolepsur të pronësisë mbi tokën, e cila është kthyer në burim të qindra e mijëra konfliktesh, edhe me jetë, dhe ka bllokuar çdo nismë e organizim për zhvillimin e aktivitetit prodhues në fshat. Ligji “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, që u diskutua dje në Kuvendin e Shqipërisë na bën të shohim edhe një herë me sy real gjendjen e mjerueshme të fshatit shqiptar dhe jetën e rëndë dhe të pasigurt të banorëve të tij për shkak të moskujdesit dhe indiferencës së plotë të qeverive shqiptare ndaj pothuaj gjysmës së popullsisë së vendit. Shifrat dhe problematika që tregojnë gjendjen dhe nivelin e jetesës në fshat janë rrëqethëse dhe perspektiva me këtë qeverisje është akoma edhe më e zymtë. Fshati shqiptar është kthyer sot në gjendjen e ekonomisë në natyrë: ku pjesa më e madhe e familjeve prodhojnë vetëm për konsum vetjak dhe po të mos ishin të ardhurat nga emigracioni dhe shpirti qëndrestar i fshatarit shqiptar, i lidhur tradicionalisht me tokën, varfëria do të thellohej edhe më shumë dhe braktisja e fshatit do të ishte edhe më e frikshme. Është e trishtueshme dhe e dhimbshme tek sheh që shumica e banorëve të fshatrave rrojnë me të ardhurat e fëmijëve të tyre emigrantë, që vitet e fundit për shkak të krizës kanë ardhur duke u zvogëluar. Kjo po bën që të thellohen akoma më shumë problemet e mbijetesës së tyre, por veshi i qeverisë është i shurdhër. Braktisja që i ka bërë qeveria e sotme fshatit shqiptar ka sjellë braktisjen masive të fshatit nga banorët historikë të tij, sidomos në zonat kodrinore-malore dhe degradimin e të gjitha parametrave social – ekonomike të atyre banorëve që jetojnë akoma në fshat ngaqë nuk kanë pasur mundësi tjetër zgjedhjeje. Dhe nuk është e vështirë që ta konstatosh këtë gjë, mjafton një rrugëtim në fshatin shqiptar në fushë, në kodër, në malësi apo në fshatrat e zonës bregdetare. Problemet janë të ngjashme dhe e vetmja gjë e përbashkët e tyre janë përpjekjet dhe makthi i përditshëm për të mbijetuar. Gjendja e mjeruar e fshatit ka bërë që edhe qyteti të ndjejë mungesën e prodhimeve të tij gjatë vitit, gjë që reflektohet në çmimet e larta të produkteve bujqësore dhe vërshimin e prodhimeve të importit në një vend ku tradicionalisht eksporti i prodhimeve bujqësore ka qenë parësor. Për t’i bërë më konkrete ato që u thanë më sipër do t’i ftoja zotërinjtë pushtetarë të bëjnë një xhiro në fshatrat e rrethit të Vlorës: ato që përbëjnë komunat që rrethojnë qytetin, ato që shtrihen përgjatë lumit të Shushicës, apo dhe ato që ngrihen mbi vijën bregdetare drejt jugut. Edhe pse duket e pabesueshme në rrethin e Vlorës mbi 60 % e rrugëve janë të paasfaltuara dhe mbi 80 % e tyre janë tërësisht të degraduara, edhe pse tek–tuk mund të zbulosh se dikur një pjesë e tyre ka qenë e asfaltuar. Kjo ka sjellë izolim dhe vështirësi komunikimi të këtyre fshatrave me qendrat urbane dhe me njëri – tjetrin. Mungesa e ujit në banesa dhe në rastin më të mirë vetëm në pak orë në ditë është tipike për të gjitha fshatrat e zonës.
Duke sjellë si shembull fshatrat e Lumit, rreth 80 të tilla, me mbi 40.000 banorë, riinformojmë se në asnjë prej tyre nuk është i siguruar uji i pijshëm, edhe pse ato janë ndërtuar buzë njërit prej lumenjve më të kristaltë të vendit. Dhe në këtë zonë ka aq burime natyrore ujore sa të plotësojnë nevojat e gjithë vendit me ujë të pijshëm dhe të përdorimit të përditshëm. Po kështu në të gjithë vijën bregdetare turistike nga Karaburuni e deri në Ksamil, në të gjitha fshatrat e bregut çështja e ujit është kthyer në sfidë për jetën dhe jo vetëm për zhvillimin e turizmit. Asnjë projekt për vitet e fundit, asnjë financim në buxhetin e vitit 2012 as për rrugë, e as për ujësjellës; as për shkolla, e as për qendra shëndetësore; as për projekte bonifikuese e as për politika të tjera për zhvillimin e fshatit. Në të kundërt janë shkurtuar ose hequr fare fondet për ndihmat sociale, janë ulur ndjeshëm grandet dhe nuk ka asnjë lloj ndjesie për kërkesat e vazhdueshme të komuniteteve. Zhvillimi rural zë një pjesë të rëndësishme të programit tonë, i cili është përqafuar prej kohësh nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. Nuk mund të ketë zhvillim të fshatit pa një studim e strategji të kujdesshme të zhvillimit ekonomik ku fshati të ketë rëndësinë e vet. Pa një zhvillim të agrobiznesit nuk mund të nxisësh prodhim të madh në fshat. Sigurimi i tregut dhe përkrahja financiare janë ndër shtytësit kryesorë për ta nxjerrë nga mjerimi. Në këtë studim duhet konsultuar dhe njohur specifika, historia dhe tradita e çdo zone me qëllim që të nxiten ato tip prodhimesh karakteristike të zonës, si në bujqësi, blegtori, pemëtari, por edhe në artizanat. Këto zona kanë një larmi të jashtëzakonshme e për pasojë mund të kthehen në atraksion turistik duke krijuar premisa për gjallërim dhe perspektivë ekonomike. Nismat konkrete për uljen e TVSH-së së inputeve bujqësore, si dhe ajo për uljen e akcizës së naftës, që do të çonte në uljen e çmimit të naftës që përdoret në bujqësi, janë hapa konkrete në interes të daljes nga kriza dhe zhvillimit të ekonomisë fshatare, që rrjedhin nga synimet dhe detyrat që vë ky program. Po ashtu, zhvillimi rural ka nevoja emergjente për shumëfishimin e financimeve publike për zhvillimin rural; mbrojtjen dhe stimulimin e prodhimit vendas, duke përmbysur raportin negativ aktual import–eksport; mbrojtjen e pyjeve dhe ujërave; nxitjen e investimeve private; krijimin e rrjetit kombëtar të grumbullimit dhe tregtimit me shumicë; politika favorizuese fiskale etj. Me vënien në jetë të një programi të tillë zhvillimi rural do të sjellë ndryshim të ndjeshëm dhe përmirësim të qëndrueshëm të standardeve të jetesës dhe mirëqenies së banorëve të fshatit; do të sjellë transformimin strukturor të ekonomisë duke e konsideruar si forcë lëvizëse të ekonomisë kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›