E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshatrat në errësirë për shërbime sociale

16/03/2012  Shërbimet për fëmijët, të moshuarit etj, dallime mes qytetit e fshatit

Qendrat ekzistuese të shpërndara keq, shumë prej tyre mbeten fantazmë

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 vjet, dallimet ndërmjet fshatit e qytetit sa u takon shërbimeve që ofrohen për banorët, duke përfshirë këtu jo vetëm ato shëndetësore, por dhe shërbimet shoqërore për banorët, mbeten në raporte kritike. Rrethet, e sidomos fshatrat që ndodhen përreth tyre, vuajnë mungesën e plotë të shërbimeve e kujdesit social që duhet të jepen për kategoritë në nevojë. Ndonëse nevojat e popullatës për këto lloj shërbimesh janë tepër të mëdha, edhe ato pak qendra sociale që ekzistojnë janë të shpërndara keq, problematikë së cilës i shtohen edhe abuzimet me ofrimin e kujdesit, pasi shumë nga qendrat ekzistuese veprojnë në hije, duke u bërë të dëmshme për komunitetin. Kjo situatë është konfirmuar edhe nga vetë drejtuesit e Ministrisë së Punës, të cilët tashmë janë kujtuar që të realizojnë edhe një studim mbi hartën e shpërndarjes së shërbimeve shoqërore në bashkëpunim me UNICEF-in dhe “Ëord Vision”, rezultatet e të cilit u prezantuan dje. Monitorimi tregon se Shqipëria ka një mbulim të dobët të territorit me qendra sociale për mbështetjen ndaj shtresave në nevojë. Kjo pasi 90 për qind e tyre janë të vendosura në zonat urbane, ndërkohë që nevoja më e madhe për këto shërbime është në zonat rurale. Studimi tregon se ka dhe qytete të mëdha ku nuk ekziston asnjë qendër për asistencë ndaj të moshuarve, fëmijëve apo personave me aftësi të kufizuara. Nga 291 institucione të përkujdesit social vetëm 10 për qind e tyre ndodhen pranë zonave rurale, ndërkohë që vetëm 41 prej tyre kanë status publik. “Situata është ende problematike për sa i përket shtrirjes gjeografike, pasi 90 për qind e shërbimeve ofrohen në zonat urbane dhe vetëm 10 për qind në zonat rurale. Ndërkohë që rreth 75 për qind e shërbimeve ofrohen në zonat perëndimore e qendrore, ndërsa nevojat më të mëdha janë në zonën veriore dhe verilindore. Numri i shërbimeve të financuara nga pushteti vendor është i kufizuar dhe gjej rastin t’u bëj thirrje njësive vendore të identifikojnë më mirë nevojat e komunitetit", - ka deklaruar ministri i Punës Spiro Ksera. Monitorimi ka nxjerrë në pah edhe problematikën e hapjes së qendrave sociale fantazmë, të cilat jo në pak raste janë kthyer në problem për komunitetet për shkak të abuzimeve të konstatuara me shërbimet që ofronin. Për 50 prej tyre janë vendosur gjoba dhe është kërkuar mbyllja e tyre deri në plotësimin e dokumenteve për regjistrim. Fatkeqësisht, shumë nga qendrat mbeten ende të pazbuluara duke e lënë këtë fenomen shqetësues të endet i lirë, pavarësisht rrezikut që mbart. Pasi ka bërë publike këto të dhëna, kreu i dikasterit të punës ka deklaruar se kjo hartë e shërbimeve sociale do të ndihmojë shtresat në nevojë për të gjetur dhe për të marrë shërbime sociale, ndërkohë që do t’i shërbejë edhe vetë institucioneve për të pasur një informacion më të plotë të gjendjes së shërbimeve dhe për ta përmirësuar atë. Ministri ka kritikuar edhe njësitë vendore të identifikojnë më mirë nevojat e komunitetit për shërbime dhe të ndërmarrin politika vendore që rritin numrin e shërbimeve. Ndërsa përfaqësuesi diplomatik i UNICEF-it, Detlef Palm, u shpreh: “Duke parë hartën, ne shohim çfarë shërbimesh janë të disponueshme dhe cilat mungojnë. Nëpërmjet hartës ne mund të shohim shkollën ku duhet të shkojë një fëmijë romë, rrugën ku ndodhet një shërbim i caktuar, ndërtesën e shërbimit shëndetësor ku një person i varfër duhet të marrë shërbim falas. Politikat ekzistojnë, po ashtu dhe ligjet, mbetet të forcojmë institucionet e kapacitetet e njerëzve.”

Kujdesi mjekësor

Krahas shërbimeve sociale për kategori të caktuara në nevojë si fëmijët, të moshuarit personat me aftësi të kufizuara etj., problematike në rrethe paraqitet edhe shpërndarja e shërbimeve mjekësore. Edhe në këtë rast zonat më të largëta janë ato që përballen me një mungesë të theksuar shërbimesh, çka i ka detyruar banorët e këtyre zonave që për vite me radhë të udhëtojnë me orë të tëra drejt spitaleve të qyteteve më të afërta, si dhe të vijnë në kryeqytet për të marrë trajtimin mjekësor, kjo pasi në zonat e tyre të banimit shërbimi mjekësor nuk ka funksionuar. Nuk kanë qenë të pakta rastet emergjente të raportuara nga pacientët për shërbime të caktuara, pasi në zonat e tyre nuk mundësohet ofrimi i tyre. Ka edhe raste të tjera problematike, që kanë të bëjnë me faktin se një mjek mbulon disa shërbime në zona të caktuara, pavarësisht aftësive të tij dhe specializimit të bërë, që shpesh rezulton vetëm në një fushë të caktuar. Pra, një mjek mbulon me shërbim disa komuna, duke i ofruar vizitat mjekësore me grafik të rrallë, për shkak se shumë prej komunave kanë një numër të lartë banorësh e për rrjedhojë paraqesin ngarkesë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›