E Diel, 1 Nëntor 2026

Pllakata e zezë me 26 të vrarë në Gërdec kërkon ende drejtësi

16/03/2012  15 mars, 4 vjet nga tragjedia, familjarët përkujtojnë

Dielli i djeshëm ngrohu vetëm trupat e dhjetëra familjarëve të 26 të vrarëve në Gërdec, por ky 15 mars që shënon 4-vjetorin e tragjedisë, ende nuk e dërgon dot rrezen e diellit deri në shpirtrat e ftohtë të atyre që humbën njerëzit më të shtenjtë. Edhe këtë vit, si traditë e përmotshme morti ata bënë homazhe pranë pllakatës së zezë, ku janë shkruar 26 emrat e të vrarëve nga shpërthimi i predhave dhe barutit. Tufa me lule, lot dhe dhimbje ishte mesazhi i vetëm i këtij përkujtimi, të cilit i ishin bashkuar edhe disa deputetë të Partisë Socialiste. Ajo çka spikat më tepër në këtë përvjetor të katërt të njërës prej tragjedive më të rënda kombëtare, është se ndonëse e vonuar, drejtësia për autorët është quajtur e cunguar nga thuajse gjithkush e aq më shumë nga familjarët. Zamira Durda ka humbur djalin e saj të shtrenjtë 6 vjeç në tragjedi dhe cilësohet si udhëheqësja kryesore e kërkimit të drejtësisë. Edhje dje ajo shpërtheu në lot, ashtu si të hënën kur gjykata lexoi vendimet e viteve të burgut. Teksa përkulej për nga memoriali, lexonte emrin e djalit dhe i shikonte fotografinë ajo u ngashërye me fjalët “Qajini, qajini se i kemi qarë katër vjet dhe na i vranë prap, o të të keqen mami....”. Ndërkaq, socialistët premtuan se do ta rihapnin këtë dosje sapo të vinin në pushtet, ndërsa kryesocialisti Rama preferoi ta vizitonte familjen Durda, për t’iu rishprehur ngushëllimet. Ai mars që duket kaq i largët sot është fiksuar njëherë e mirë në kujtesën e gjithkujt që u fiksua në ekranet e televizioneve. Gazetarët mbërritën atje bashkë me policët, ambulancat dhe ushtarët. Atmosfera i ngjante një sulmi të befasishëm nga ushtritë armike. Tym në qiell, shpërthime të njëpasnjëshme të predhave, njerëz që vraponin maleve, çati të rrafshuara, ambulanca që mbusheshin me njerëz të gjakosur dhe gjithçfarë e ligë tjetër ishte panorama që të ofronte asokohe Gërdeci. Bilanci fliste për rreth 20 të vdekur, qindra të plagosur e mijëra ndërtesa të shkatërruara. Të vdekurit shtoheshin dita-ditës, ku shuheshin në spitale me plagë të rënda. Drejtësia foli 4 vjet më pas, kur dha 94 vjet burg për 27 të pandehur.

Dënimet

Gjykata e dënoi Dritan Monxillin, ish-përgjegjësi i fabrikës së armëve të demontimit me 18 vjet burg, ish-drejtori e MEICO-s, Ylli Pinarin, me 18 vjet burg dhe administratorin e fabrikës “AlbaDemil”, Mihal Delijorgjin me 10 vjet burg. Gjenerali Luan Hoxha u dënua me 6 vjet, ndërsa disa ushtarakë të tjerë me nga 4 vjet.

Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vizitoi dje familjen Durda që ka humbur djalin. Rama tha se “Vendimi i Gjykatës, vrasje e poshtërim. Drejtësia jepet sipas mundësisë për ta blerë. Në Shqipëri drejtësia nuk jepet sipas ligjit. Tragjedia e Gërdecit nuk mbyllet me farsë gjyqësore apo me pazar dhe pa drejtësi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›