E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano President? Rama: Nuk eshte i PS ka qendruar mbi palet

16/03/2012  Kreu socialist i bindur për fitore në 2013, shqiptarë të zhgënjyer nga Berisha

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përjashton mundësinë e një humbjeje të partisë që ai drejton në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Një qëndrim të tillë kreu socialist e bëri publik gjatë një interviste për televizionin “Klan”. Gjatë fjalës së tij kryetari i PS-së u ndal në disa çështje, ku sqaroi pozicionin e kësaj partie kundrejt procesit integrues të vendit. Kështu, duke u ndalur fillimisht te Gjykata Administrative, Rama argumentoi arsyet se pse PS-ja bllokoi miratimin e projektligjit në Kuvend për dy vjet rresht. Ndërkohë që nuk mund të mos delegonte pjesën kryesore të përgjegjësisë për përgjigjen negative të BE-së ndaj Shqipërisë për statusin e vendit kandidat te qeverisja aktuale. Po kështu një vëmendje të veçantë Rama u kushtoi dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ku më shumë sesa një fitore e merituar e kampit të majtë në këtë garë ajo do të vijë si një votë e revoltës së zgjedhësve shqiptarë kundër qeverisjes aktuale, e kjo për shkak të situatës së rëndë ekonomike e sociale të krijuar në vend. “Jam i bindur që qeveria dhe kryeministri e kanë të pamundur që të marrin një mandat të tretë për një mijë e një arsye, që lidhen me gjendjen e vendit, me atë çka jetojnë familjet shqiptarem dhe për shqiptarët ka kohë që ka ardhur koha për ndryshim”, - u shpreh Rama gjatë intervistës së tij. Ndërkohë sa i takon zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, e konkretisht emrit të vetëm që ka shpallur ambicien për të qenë pjesë e kësaj gare, Fatos Nano, kreu socialist e la të hapur mundësinë e dhënies së një vendimi mbi këtë kandidaturë. “Ka kohë që është distancuar nga PS-ja, që nuk e përfaqëson atë, pasi është në kërkim të një profili që ka zgjedhur dhe tentuar ta mishërojë, se sa e ka mishëruar kjo është çështje gjykimi nga palët, por që sot nuk është dita e gjykimit”, - vlerësoi Rama.

- Partia Socialiste ka dhënë konsensusin për miratimin për Gjykatën Administrative, si dhe ka dhënë një vullnet për miratimin e këtij projektligji dhe në Kuvend. Pse vjen tani një qëndrim i tillë, ku më herët u bllokua për dy vjet rresht miratimi i tij?

- E vërteta është se, kur ky ligj hyri në diskutim, nuk ishin kushtet për një diskutim konstruktiv, për më tepër që bëhej fjalë për një projekt që duhej të diskutohej mirë përmes një procesi gjithëpërfshirës, që ne praktikisht kemi marrë përsipër ta bëjmë të mundur.

- Por tani që janë pjekur kushtet, sipas asaj që thoni, është djegur fondi prej 16 milionë dollarë që USAID-i i kishte akorduar qeverisë shqiptare. A ndiheni fajtor që kjo faturë do të kalojë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë?

- Nuk besoj se gjërat janë pikërisht kështu dhe për më tepër që askush të mos e harrojë se procesi i integrimit dhe i marrjes së statusit të vendit kandidat është një proces dhe një hap kaq i rëndësishëm, saqë të lidhet thjesht me atë çfarë ne miratojmë në letër, por lidhet me atë çka në realitetin e gjërave impolementohet.

- Është koincidencë që konsensusin që do jepni ju për Gjykatën Administrative lidhet me vizitën tuaj të afërt në SHBA, pasi ka shumë zëra që flasin se një qëndrim i tillë po mbahet thjesht për disa foto tujat në Uashington?

- Kjo nuk ka asnjë lidhje vizita ime në Uashington ishte planifikuar kohë më parë, ndërkohë që Gjykata Administrative është futur në rendin e ditës së punimeve në Komisionin e Ligjeve disa ditë më parë, kështu që është pjesë e një procesi për të cilin është rënë dakord më parë me partnerët europianë.

- Grupi parlamentar i PS-së u shfaq me dy qëndrime për Kodit Penal, ku në fund pati një votim surprizë. U tentua për një bllokim të ligjit?

- Diskutimi në komision ishte një diskutim real, i vërtetë, jo një fasadë apo farsë. Ngecëm në një pikë, që për ne ishte e rëndësishme. Luftuam deri në momentin e fundit që ajo të bëhej pjesë e konsensusit dhe në momentin e fundit, kur pala tjetër refuzoi. Midis rrëzimit të të gjithë ligjit dhe pajtimit me faktin që me atë pikë ne nuk arritëm të marrim dot konsensusin sigurisht që ne zgjodhëm të dytën, sepse ishte më e rëndësishme që të kalohej Kodi Penal sesa të futeshim në një proces tejet të ngatërruar të gjitha gjërat që lidhen me marrjen e statusit të kandidatit për shkak të asaj pike që ishte e rëndësishme dhe mbetet e tillë.

- Në progresraport u theksua se ishte mungesa e vullneti politik arsyeja kryesore që vendi nuk mori statusin, në mënyrë të veçantë bojkoti.

- Nuk besoj se arrijmë tek e vërteta nëse nxjerrim nga konteksti vetëm një element të një raporti që është i gjatë dhe që është shterues lidhur me arsyet se pse vendi nuk e mori statusin. Bojkoti ishte një pikë, e cila sigurisht përbënte një problem për këndvështrimin e Komisionit Europian, por ama të mos harrojmë se janë dhjetëra e dhjetëra pika të tjera, që janë tejet problematike për Shqipërinë dhe kanë të bëjnë me qeverisjen, me funksionimin e institucioneve e me radhë të tjerat, që nuk kanë të bëjnë me opozitën.

- Vetëm katër muaj na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale. Ju, zoti Rama, keni kërkuar një president konsensual, a ka PS-ja një kandidat të saj, përveç Fatos Nanos, që ka shfaqur ambicien e tij për të qenë pjesë e garës?

- Fatos Nano nuk është kandidat i Partisë Socialiste, ai është një figurë politike që ka shfaqur ambicien për të qenë një kandidat mbi palët. Ka kohë që është distancuar nga PS-ja, që nuk e përfaqëson atë, pasi është në kërkim të një profili që ka zgjedhur dhe tentuar ta mishërojë. Se sa e ka mishëruar, kjo është çështje gjykimi nga palët, por që sot nuk është dita e gjykimit.

- Nëse humbni në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, do të jepni dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste?

- Jam i bindur se qeveria dhe Kryeministri e kanë të pamundur që të marrin një mandat të tretë për një mijë e një arsye, që lidhen me gjendjen e vendit, me atë çka jetojnë familjet shqiptare, dhe për shqiptarët ka kohë që ka ardhur koha për ndryshim. Koha për ndryshim ka ardhur si një kambanë e fortë, që do të zgjojë dhe shumëkënd nga ata që deri dje kanë menduar se mund të qëndrojë jashtë këtij procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›