Fshehtësitë e “Baballarëve të Kombit”

Ai mund të ketë shkruar Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së, por po të ishte sot gjallë, Thomas Jeffersoni me gjasë nuk do të kishte pasur mundësi që të ngadhënjente në garën e republikanëve për të nominuarin e tyre presidencial, e aq më pak presidencën.
Pengesë nuk do të kishte qenë as lidhja e tij me vajzën e mitur të një prej skllaveve të tij, e as fëmijët të cilët i bëri me të. Nuk do të kishte qenë pengesë as posedimi nga ana e Jeffersonit i një versioni të Kuranit në gjuhën angleze, i cili me gjasë do të bënte që ai të dështonte në testin e besnikërisë, të kërkuar nga Newt Gingrich. Jo, do të ishte problemi me Jezusin, i cili do të shkatërronte ëndrrën e tij për t’u bërë president. Thomas Jeffersoni kishte mohuar se Jezusi është i biri i Zotit. Edhe më keq, ai refuzonte të besonte se Jezusi ka deklaruar ndonjëherë se ai është i biri i Zotit. Ai gjithashtu cilësoi si absurde qëndrimet se Jezusi është lindur nga një e virgjër dhe rilindjen e tij.
Jefferson nuk ishte, siç kishin theksuar armiqtë e tij në zgjedhjet e vitit 1800, ateist. Ai besonte në krijuesin, të cilin e ka përjetësuar edhe në Deklaratën e Pavarësisë dhe për të cilin ishte i mendimit se e ka krijuar universin. Jefferson e konsideronte vetën si një krishterë të vërtetë, adhuronte mësimet morale të Nazarethit. Ai ka argumentuar se ishin gjeneratat e priftërinjve që kanë shtrembëruar faktin se Jezusi ishte një njeri i thjeshtë, duke e shndërruar atë në profet, duke e shpikur mitin se ai vdiq, për të zhbërë mëkatet e njerëzimit.
Të gjitha këto gjëra do të nënkuptonin, përjashtuar këtu pasionin e tij për qeveri minimale, se ai nuk do të kishte kurrfarë gjasash të mposhtë besimtarët e vërtetë, siç është përfaqësuesja republikane, Michelle Bachman, e cila tashmë ka hyrë në garën e republikanëve për kandidatin e tyre për president.
Të marrim si shembull njërin prej Baballarëve tjerë të Kombit, i cili sot gjithashtu nuk do të përputhej në spektrin aktual politik të SHBA-së: Alexander Hamilton .
I denoncuar nga Andreë Breirbarti i ditëve të tij, James Thomson Callender, për shkak të lidhjes personale me Maria Reynoldsin e martuar, Hamilton reagoi duke bërë një pranim parandalues, por pa u penduar-ai insistoi se nuk ka përfituar nga menaxhimi i financave publike, duke theksuar se nga ky këndvështrim është i pafajshëm dhe duke shtuar se sa i përket jetës së tij personale, ajo nuk ka nevojë t’i interesojë askujt. Por Callender kishte theksuar se lidhjen e tij me një femër të martuar, Hamilton e kishte shfrytëzuar si mbulesë, për të fshehur skandalin financiar.
Historia e vërtetë është armike e nderimit. Nuk i bëjmë ndonjë nder autorëve të pavarësisë së Amerikës, duke i cilësuar ata si të pagabueshëm, duke e trajtuar kushtetutën si një Bibël, në vend se ta trajtojmë si një rezultat të kompromisit, e që faktikisht ishte.
Historia është një libër i mençurisë së papërlyer, nga e cila ne duhet të synojmë që të thellojmë njohuritë tona për natyrën legjitime të qeverisë amerikane.
Por për fat të keq, ka shumë pak dëshmi se qytetarët janë të angazhuar në lexim të kujdesshëm dhe kritik të Dokumenteve Federaliste, për debatet në lidhje me ratifikimin kushtetues, apo për grindjen, e cila ndërseu Hamiltonin dhe James Madisonin kundër Patrick Henryt, grindje për atë se çfarë ishte në lojë kur bëhej fjalë për autoritetin e Kongresit për të bërë ligje.
Faktet, siç insistoi John Adams, pasi që mbrojti ushtarët britanikë, pas masakrës së Bostonit, janë “gjëra kokëforta”. Ai do të tmerrohej nga ajo se si historia amerikane po keqinterpretohet, me qëllim të konfirmimit të paragjykimeve.
Është me rëndësi kur mysafiri i Glenn Beckut, Andrew Napolitano, ja mbështetë përgjegjësinë për amendamentin e 17-të, me të cilin rregullohet zgjedhja e drejtpërdrejtë e senatorëve, komplotit Wilsonian kundër lirive amerikane, e jo propozimit të një senatori republikan, të bërë në vitin 1911 dhe të miratuar nga Kongresi, para se Wilson të hynte në Shtëpinë e Bardhë. (Newsweek)