Raportojnë ngecjet
Ariana Qosaj-Mustafa, e cila tash mban postin e këshilltares së Presidentes Atifete Jahjaga, duhet ta ketë problem nëse vendos të thotë ndonjëherë brenda këtij viti të kundërtën e asaj që shkruan Freedom House në raportin e vet për Kosovën.
Kjo për faktin se ajo është bashkautore me Krenar Gashin e KIPRED’it e pjesës për Kosovën, në këtë dokument të publikuar të martën.
Në fund të kapitullit për Kosovën është e shkruar se Qosaj-Mustafa e ka hartuar këtë raport deri në maj të këtij viti, pa u dhënë ndonjë datë e caktuar. Ndërkohë, ajo është emëruar këshilltare e Presidentes, së paku zyrtarisht, në mesin e muajit maj.
Por, Qosaj-Mustafa thotë se ajo e ka hartuar draft-raportin final për Freedom House në muajin shkurt, disa muaj para se të emërohet këshilltare për çështje juridike e Jahjagës. E pyetur se si do të mbronte para dikujt Kosovën, për ato që shkruan në raportin e Freedom House, tash në cilësinë e këshilltares, ajo jep shpjegimin e saj. “Unë tash brenda institucionit po jap kontributin tim për të ndryshuar gjërat”, thotë Qosaj-Mustafa për Express.
Ajo vlerëson se në lidhje me këtë rast nuk ka konflikt interesi, sepse draft-raportin për Freedom House e ka përfunduar shumë kohë para se të marrë postin në Presidencë. Sidoqoftë, e marta ka qenë ditë e keqe për Kosovën, ngase vendi është nxirë nga tri raporte ndërkombëtare, të cilat vendin e paraqesin zi e më zi.
Departamenti amerikan i Shtetit, Freedom House dhe Banka Botërore e radhisin Kosovën mjaft keq në listat e tyre. Departamenti i Shtetit thotë se Qeveria kosovare nuk i zbaton plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, ndonëse bën përpjekje për t’i arritur ato. Në raportin që mban titullin "Trafikimi me njerëz 2011" vlerësohet se në veriun e Kosovës, rajon ky jashtë kontrollit të Prishtinës, ndodh trafikimi i brendshëm i serbëve të Kosovës.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...