E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshehu pasurinë, ambasadori në prokurori

TIRANË- Ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, akuzohet për mosdeklarim të rreth 74 mijë eurove, të cilat i janë gjetur në bankë. Kallëzimi për të është bërë dje nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.


Përveç Tepshit, ILDKP ka kallëzuar edhe inspektoren tatimore, znj.Merita Aleksi për dyshime në kryerjen e veprës penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të ILDKP-së.


Ato pohuan se dy zyrtarët e lartë nuk kanë deklaruar të gjitha llogaritë dhe depozitat e tyre bankare me shuma të ndryshme parash.


Sipas këtij njoftimi, mësohet se dy të kallëzuarit janë pjesë e listës prej 166 personash të cilët do t'i nënshtrohen një hetimi të hollësishëm administrativ mbi pasuritë që ata disponojnë në emër të tyre apo pjesëtarëve të ngushtë familjarë.


Ambasadori Qazim Tepshi nuk ka deklaruar në formularët e ILDKP-së shumën e 74 mijë eurove, që ndodhen në dy llogari të ndryshme bankare në bankat e nivelit të dytë në vend.


Ndërsa, inspektorja e tatimeve, Merita Aleksi, nuk ka preferuar të deklarojë katër llogaritë bankare të regjistruara në emër të saj dhe bashkëshortit, ku janë depozituar shumat prej rreth 12.570.872 lekë dhe 12.766 euro e 11.435 dollarë amerikanë.


"Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Çeki, shtetasi Qazim Tepshi, në deklaratat e tij të interesave private ndër vite, nuk ka pasqyruar një shumë prej 35 mijë euro, të depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri.


Po ashtu, Tepshi nuk ka deklaruar një transaksion bankar në shumën e 39 mijë euro, e cila i është kaluar në llogarinë e tij bankare nga një person i tretë"- thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të ILDKP-së.


Sipas këtij njoftimi, konfirmohet se, "i pyetur lidhur me pasaktësitë e evidentuara nga Inspektorati i Lartë, Ambasadori Tepshi është përgjigjur se nuk e ka gjykuar të deklarojë këtë shumë "...sepse nuk janë krijuar nga puna në Ambasadë..". "ILDKP-ja i vlerëson argumentet e Ambasadorit si të pabazuara, duke i konsideruar shkelje të ligjit.


Gjatë hetimit administrativ dhe korrespondencës me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Inspektorati i Lartë ka evidentuar gjithashtu se zyrtari me funksion Ambasador, ka qenë administrator i shoqërisë "Saitan", aktivitet i mbyllur në vitin 2003, për të cilin ka mbetur pa shlyer detyrime tatimore në vlerën 2.666.192 lekë.


Pas konstatimit të shkeljeve të mësipërme, Inspektorati i Lartë ka kërkuar nga organi i Prokurorisë nisjen e procedimit penal për Ambasadorin Qazim Tepshi"-thuhet në njoftimin zyrtar.


Gjithashtu, sipas këtij kallëzimi, me shkelje të ligjit është evidentuar edhe inspektorja tatimore Merita Aleksi, e cila në deklaratat e interesave private ndër vite nuk ka pasqyruar depozita dhe llogari bankare në disa banka të nivelit të dytë, të cilat arrijnë shumën 3.589.048 lekë.


Po ashtu, nga hetimi administrativ i ILDKP-së për pasurinë e deklaruar të subjektit Aleksi dhe familjarëve të saj, rezulton se nuk janë pasqyruar në deklarata depozita dhe llogari bankare të bashkëshortit të saj, në shumat: 12.570.872 lekë; 12.766 Euro; dhe 11.435 USD.


Për problemet e konstatuara, inspektorja tatimore Aleksi e pyetur nga ILDKP-ja, ka thënë "nuk i kam deklaruar sepse nuk kam menduar se duheshin deklaruar të ardhurat e përfituara nga veprimtari të punëve dytësore", duke sqaruar se vlerat monetare të depozituara në bankë janë krijuar nga aktivizimi i bashkëshortit të saj në disa punë dytësore"-thuhet në kallëzim.


Këto argumente të përdorura nga subjekti Aleksi nga ILDKP-ja janë vlerësuar si të pa bazuara në ligj dhe me këto veprime ajo ka konsumuar veprat penale të "fshehjes ose deklarimit të rremë" të pasurisë".


Gjithashtu, zyra e shtypit pranë ILDKP-së konfirmon se vetëm gjatë vitit 2009 inspektorët kanë kallëzuar penalisht në prokurori 12 subjekte të ndryshme, nga të cilat gjashtë për "fshehje të pasurisë, mosdeklarim ose deklarim të rremë" dhe gjashtë subjekte për "refuzim për deklarim".


Qazim Tepshi nuk ka pasqyruar një shumë prej 35.000 euro, të depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Subjekti nuk ka deklaruar një transaksion bankar në shumën e 39.000 euro, e cila i është kaluar në llogarinë e tij bankare nga një person i tretë.


Merita Aleksi nuk ka pasqyruar depozita dhe llogari bankare në disa banka të nivelit të dytë, të cilat arrijnë shumën 3.589.048 lekë. Nuk janë pasqyruar në deklarata depozita dhe llogari bankare të bashkëshortit të saj, Diogjen Aleksi, në shumat: 12.570.872 lekë; 12.766 Euro; dhe 11435 USD


PRETENCA


Prokuroria ka kërkuar dje dënimin e dy biznesmenëve të këpucëve nga Korça e Gjirokastra, hapnin llogari fantazmë


Burg dhe gjobë biznesmenëve, fshehën pasurinë


TIRANË- Hapje e llogarive fantazmë në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, mund t'i kushtojë 3 vjet e 4 muaj burg dhe 1 milionë e 500 mijë lekë gjobë dy biznesmenëve të këpucëve nga Gjirokastra e Korça. Ka qenë prokurori i çështjes, i cili në përfundim të fazës gjyqësore ka vazhduar me leje të togave të zeza në leximin e konkluzioneve përfundimtare, ku ka kërkuar nga pesëshja gjykuese e Gjykatës së Krimeve të Rënda të deklarojnë fajtor dy biznesmenët Petraq Dodit e Theodhoraq Zharkalli për "fshehje së të ardhurave"; "hapjes së llogarive bankare false" si dhe "shmangies së detyrimeve tatimore dhe taksore".


Për kryerjen e këtyre veprave penale, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, prokurori kërkoi nga gjykata që i pandehuri Petraq Dodi të dënohet me 2 vjet burg e 900 mijë lekë të reja gjobë, ndërsa për të pandehurin Theodhoraq Zharkalli prokurori kërkoi dënimin me 1 vit 4 muaj burg dhe 600 mijë lekë gjobë.


Sipas akuzës, shkak për dënimin e tyre është bërë kryerja e veprave penale të shmangies së detyrimeve dhe taksave ndaj shtetit në shumën e rreth 115 milionë lekëve të reja, si dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare, në çelje të llogarive anonime bankare. Dy biznesmenët akuzohen se kanë transferuar para nga llogaritë e tyre në llogari të personave të tjerë, duke përdorur emra të të afërmëve por me fotot e personave të tjerë.


"Gjatë fazës hetimore është provuar se shumica e parave të xhiruara në llogari të ndryshme që në fakt rezultonin të ishin fantazim, kanë përfunduar në llogari të të pandehurit Petraq Dodi me vetëdijen e të pandehurit tjetër që i është përdorur emri disa herë Theodhoraq Zharkalli. Me përfundimin e leximeve të konkluzioneve, gjykata ndërpreu seancën gjyqësore duke i lënë një javë kohë avokatëve mbrojtës të përgatisin pretendimet përfundimtare.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›