E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Maskarada e KQZ-së duhet të marrë fund

Rama mohon deklaratat e Metës për Kryeministër. "Pas asaj që Meta bëri, askush nuk duhet të çuditet nga ato që Meta thotë"


TIRANË- Në përputhje me vendimin e kryesisë së PS-së, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka bërë apel kundërshtarit të tij politik, Kryeministrit Sali Berisha, që të heqë dorë nga mandati i fundit në Qarkun e Fierit, pasi në të kundërt, ai dhe forca politike që ai drejton nuk do të njohë rezultatin e tyre.


Deklarata është bërë fill pas mbledhjes së kryesisë, ku dhe u diskutua situata që është krijuar pas bllokimit që mazhoranca u ka bërë 9 kutive të Fierit, të cilat mbajnë brenda dhe votat e duhura për të kthyer raportet e mandateve në këtë qark, në favor të një rezultati më të thellë për socialistët. "Nuk do të lejojmë grabitjen e mandatit të 9-të në Fier.


Maskarada e KQZ-së duhet të marrë fund, ashtu si kundër Sali Berisha, i cili e orkestron këtë maskaradë, duhet të heqë dorë nga ideja se mund të grabisë mandatin e 9-të të PS-së në Fier, nëse nuk do që PS-ja të mos i njohë zgjedhjet.


Është e patolerueshme dhe ne do ta bëjmë të pamundur që kjo palo qeveri në formim e sipër, ende pa u bërë qeveri, ta nisë me një grabitje të kësaj përmase", - u shpreh Rama gjatë një komunikimit të posaçëm me mediat, dje në Partinë Socialiste.


Duke paralajmëruar se PS-ja është e vendosur që të mbrojë votën e qytetarëve shqiptarë nga deformimi i vullnetit të tyre, Rama ka theksuar se socialistët do të bëjnë çmos dhe do të provojnë gjithçka për të ndaluar përpjekjen për tjetërsimin e mandatit të 16-të në këtë zonë, por njëkohësisht, ai ka bërë të ditur se nuk do t'i ndahet nxjerrjes në dritë të të gjithë mekanizmave që bënë të mundur deri më tani deformimin e rezultatit të zgjedhjeve.


Nga ana tjetër, ai i ka bërë thirrje kreut të qeverisë që të ndërpresë sa më parë të gjitha reprezaljet, që po bëhen ndaj të gjithë votuesve socialistë në ato qytete ku fituese doli PS-ja.


"Me këto masa, dhe në këtë rrugë, do të jetë e pamundur për Sali Berishën, për Ilir Metën dhe për të gjithë këtë çetë që po organizohet bazuar vetëm në interesa korruptive, që t'u japin Shqipërisë dhe shqiptarëve, atë që meritojnë, ashtu si kundër do të jetë e pamundur të mund të realizojnë ato gjëra, që normalisht janë në themelin e kësaj marrëveshjeje të pistë", - tha më tej Rama.


Pavarësisht se deri më tani rezultati përfundimtar nuk është shpallur prej KQZ-së, shefi i selisë rozë, për shkak të kalimit djathtas të LSI-së, është detyruar që ta pranojë realitetin e ri dhe qeverinë e re që po lind, por duke premtuar se PS-ja do të bëhet avokatja e të gjithë shqiptarëve përballë saj.


"Ne jemi këtu për të garantuar Shqipërinë dhe shqiptarët, se jemi shumë të vendosur që t'i shkojmë deri në fund këtij procesi, ashtu sikundër jemi shumë të vendosur që t'i bëhemi barrikadë kësaj krijese që po del nga marrëveshja e ulët, më e neveritshmja marrëveshje në historinë e këtyre 18 viteve, mes Sali Berishës dhe Ilir Metës", - shtoi Rama.


Ndërkohë, ai u ka kthyer përgjigje edhe akuzave të kreut të LSI-së, duke mohuar në mënyrë kategorike që të jetë bërë pjesë e një pazari të ulët për t'i ofruar Metës postin e Kryeministrit. "Pas asaj që Ilir Meta bëri, askush nuk duhet të çuditet nga ato që Ilir Meta thotë. Dyfytyrësia e Ilir Metës doli në pah në një përmasë që askush nuk mund ta përfytyronte.


Për fat të keq, 83 mijë njerëz që e votuan Ilir Metën për të hequr Sali Berishën, u kthyen në një mall, që Ilir Meta u shiti për të blerë karriget e palo qeverisë që po rreket të formohet përmes kësaj marrëveshjeje.


Kjo bëmë flet më shumë se gjithçka! Ilir Meta është i pabesueshëm në gjithçka thotë", - u shpreh Rama, duke bërë të qartë gjithashtu se dera e PS-së do mbetet e hapur për të gjithë ata socialistë që më 28 qershor votuan LSI-së dhe që më pas u zhgënjyen nga tradhtia e Ilir Metës.


Rama ka bërë të qartë, gjithashtu, se mungesa e një rezultati pozitiv në mandate, nuk do të mund të shfrytëzohet nga askush, që nëpërmjet lojërave të pista kërkon të përfitojë nga rasti për ta kthyer PS-në pas në histori.


"Ju siguroj ju dhe gjithë të tjerët, se rezultati i këtyre zgjedhjeve, i cili për ne nuk ishte i mjaftueshëm, nuk do të bëhet dot alibi për askënd që ta kthejë mbrapa Partinë Socialiste", - u shpreh Rama në mesazhin që u ka përcjellë gjithë kundërshtarëve të tij, edhe brenda së majtës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›