Fshesa e grekëve
Në Tiranë nuk ka asnjë të dhënë zyrtare, por ajo ekziston. Një fshesë e madhe po fshin emigrantët ilegalë shqiptarë, të cilët për pak evro hyjnë në veriun e Greqisë për të derdhur djersën në plantacionet e efendikojve grekë. Janë rreth 150 emigrantë shqiptarë që autoritetet greke dëbojnë përditë. E tregojnë statistikat e policisë kufitare shqiptare, e cila i klasifikon të kthyerit si shtetas shqiptarë pa dokumente në shtetin fqinj. Janë jo pak por mbi 1.300 shtetas shqiptarë që janë kthyer përmes vendkalimit kufitar Kakavijë dhe të Kapshticës vetëm gjatë javës së fundit. Ikin si qëmoti këtu e dhjetë vite më parë nga mali, apo poshtë nga kufiri i Kakavijës duke paguar edhe nga 2 mijë euro.
“Spiuni” ndenji dje me një emigrant të hershëm që tre herë në vit kalonte kufirin dhe punonte në Veria të Greqisë. “Shkojnë të zinjtë se nuk kanë çfarë të bëjnë në fshatrat e tyre. Ja unë kam njerëz në Myzeqe. Tokë pa anë e fund. Me të gjitha të mirat. Pjellore sa më nuk bëhet. Por do lekë. Duhet blerë fara e mirë, duhet paguar mekanika bujqësore, se ka vajtur nafta 160 lekë litri, duhet blerë plehu që ta shesin si frëngu pulën. Pastaj hajde dhe dil në treg. Me 20 lekë e shitëm vjet domaten dhe ju në Tiranë e blinit 80. Po na u kalb se e mbyti ajo e importit. Ndaj mos u çudit që kushërinjtë e mi marrin malet e Greqisë dhe lënë tokat djerrë në atdhe”,- psherëtiu myzeqari që ka vendosur më mirë të shesë çikërrima në mes të ish-Bllokut, sesa të skllavërohet nga afendikoi grek apo të rrënohet nga toka pa bereqet e atdheut.
“Spiuni” hapi faqen e qeverisë dhe gjeti programin 2005-2009, ku thuhej se gjendja e bujqësisë shqiptare është në nivele të mjeruara. Më pas vinin premtimet: “Zhvillimi i bujqësisë së bashku me agroindustrinë do të mbështetet në disa politika dhe reforma bazë dhe nxitëse për sektorin. Investimet publike dhe të partnerëve ndërkombëtarë në bujqësi do të rriten ndjeshëm, por edhe do të përdoren me efektivitet dhe efiçencë. Tregu i hapur i tokës do të nxisë procesin e rritjes së dimensionit të fermave. Do të sigurohet furnizimi me çmime të subvencionuara të imputeve si dhe do të fuqizohet kontrolli i cilësisë së tyre. Karburanti për konsum bujqësor do te sigurohet me një çmim prej jo më shumë se 40 lekë për litër, për të gjithë fermerët shqiptarë” (shih www.km.gov.al ).