E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshirja e serverit të 21 janarit, specialisti rrezikon 3 vite burg

Armando Kasaj

Flamur Vezaj

Specialisti i IT-së së kryeministrisë, i pandehuri Armando Kasaj, i cili mbrëmjen e 21 janarit të 2011-së, fshiu pamjet filmike të gardistëve që qëllonin me armë zjarri në drejtim të turmës së demonstruesve, doli dje për herë të parë para Gjykatës së Tiranës. Por, në momentin që gjyqtari i vetëm i çështjes Gerd Hoxha, tentoi ti japë fjalën prokurorit të çështjes, për leximin e kërkesës për gjykim, ishte avokati mbrojtës Ilir Murati, ai që kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore. Kërkoj kohë nga Gjykata, që të njihem me aktet që ndodhen në dosjen e përgatitur nga prokuroria. Pasi të njihem me materialet, do të shprehem për kërkesat paraprake, tha avokati Murati, duke i kërkuar gjyqtarit të shtyjë seancën gjyqësore.

Ndërkohë, prokurori i çështjes Ndini Tavani, pranimin ose jo të kërkesës së avokatit e la në vlerësim të gjyqtarit të çështjes, Hoxha, i cili vendosi të shtyjë seancën gjyqësore. Sipas vendimit të ndërmjetëm, seanca gjyqësore në ngarkim të pandehurit Kasaj do të vazhdoj me datë 22 qershor ora 11:30 minuta, ditë kur avokati do të shprehet me kërkesat paraprake në këtë proces gjyqësor. Sipas prokurorisë, Kasaj do të gjykohet për kryerjen e veprës penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Akuzë kjo e konsumuar mbrëmjen e datës 21 janar dhe mëngjesit të hershëm të 22 janarit të vitit 2011 brenda ndërtesës së Këshillit të Ministrave.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në orën 19:24 minuta të datës 21 janar 2011 në serverin qendror të kamerave të sigurisë, i pandehuri Kasaj ka ndërhyrë duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë që ndodheshin të vendosura në ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Këto regjistrime, nuk i janë vënë në dispozicion prokurorisë, duke njoftuar këtë të fundit se nuk kishte regjistrime, pasi sistemi i kamerave nuk punonte prej vitit 2009, – thuhet ndër të tjera në kërkesën për gjykim që Shekulli disponon një kopje. Nga ana tjetër, sipas ekspertëve të Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së), këto regjistrime janë kopjuar dhe më pas janë fshirë, duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre edhe sot. Sipas këtij ekspertimi, në kryeministri punonin 11 kamera të sigurisë, të cilat ditën e demonstratës kanë qenë në punë dhe kanë kryer regjistrim të cilësisë së lartë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›