Karburant falas me tollon fals, 4 të arrestuar në Tiranë
TIRANE- Katër persona të dyshuar si pjesëtarë të një grupi që falsifikonin tollona për blerje karburanti nga kompani të ndryshme të shitjes dhe menaxhimit të tij, u arrestuan nga policia me akuzën e vjedhjes nëpërmjet falsifikimit. Enrik Gedaj, 24 vjeç, Elian Lani, 23 vjeç, Henri Loca, 26 vjeç, si dhe vëllai i tij, Holger Loca, 25 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, u arrestuan nga antikrimi Ekonomik i Policisë së Tiranës. Policia tha se personat e mësipërm u mbi bazën e vlerësimit të informacioneve mbi falsifikim e tollonave të karburantit të disa kompanive në Tiranë, por një prej tyre ishte më e dëmtuara sipas burimeve. Policia tha se nga hetimet e kryera është dokumentuar fakti se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet pajisjeve kompjuterike në mënyrë të vazhdueshme, falsifikonin tollonë të ndryshëm për furnizim me karburant.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, personat nëpërmjet kompjuterëve dhe programeve përkatëse kishin mundur të realizonin, tollonat sikur për ta ishte bërë një kontratë e mëparshme dhe që ishin lëshuar nga kompanitë e shitjes së karburantit. Pasi printoheshin në printerë të posaçëm që e bënin tollonin thuajse identik me atë të lëshuar nga kompania e shitjes së karburantit, personat i hidhnin në treg ose i shpërndanin tollonat me gjysmën e çmimit të sasisë së karburantit që merrnin me to. Ky aktivitet, sipas burimeve të policisë kishte më tepër se dy muaj që ishte identifikuar nga kompania përkatëse e cila kishte depozituar edhe kallëzimet përkatëse në drejtorinë e policisë bashkë me tollonat e karburantit që ishin sekuestruar nga hetuesit në cilësinë e provave materiale.
Policia tha se tollonat prodhoheshin nga dy vëllezërit Loca, në banesën e të cilëve hetuesit kanë mundur të sekuestrojnë në cilësinë e provës materiale, tri njësi qendrore kompjuterike, një printer, dy USB, me anë të të cilave kryheshin falsifikimet e tollonave. Policia tha gjithashtu se ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme tollonash të falsifikuar, të përdorura në pikat e karburantit, si dhe në automjetin Taksi në pronësi të Enrik Gedajt. Burimet e policisë thanë për Shekullin se dëmi i shkaktuar nga të arrestuarit mendohet se shkon në rreht 2-3 milionë lekë të vjetra. Sakaq hetuesit thonë se dyshojnë se personat kanë kryer aktivitet të tillë edhe më parë në dëm të kompanisë që i ka denoncuar, apo të kompanive të tjera.
