Ftesa e Ramës për Metën, reagon Berisha: Çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron
“Unë mbetem totalisht i përkushtuar të punoj me të gjithë energjitë e mia, në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të vendit”
“Largimi i LSI-së nga koalicioni qeveritar nuk do cenojë vendosmërinë e qeverisë për organizimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor”. Kështu shprehet në Facebook, kryeministri Sali Berisha, duke komentuar debatin e ditëve të fundit, lidhur me një largim të mundshëm të LSI-së drejt koalicionit opozitar. Kreu i qeverisë thekson se, qëndrimi i tij mbetet i pandryshueshëm se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron. “Një debat i gjerë ka shpërthyer lidhur me njoftimet se LSI do të vendosë të lërë qeverinë. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron. Natyrisht për mua, qeveria dhe qeverisja janë përgjegjësi që bëhen edhe më të mëdha në periudhë elektorale. Me këtë rast dua të siguroj zgjedhësit se asgjë nuk do të cenojë vendosmërinë e qeverisë për organizimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit. Së dyti, dua të garantoj qytetarët se Kushtetuta e vendit ka të gjitha përcaktimet e qarta për zgjidhje plotësisht kushtetuese të çdo problemi institucional dhe se ajo do të respektohet me rigorozitet në frymën dhe germën e saj”- shkruan kryeministri.
Ai garanton shqiptarët se është i angazhuar me të gjitha energjitë e tij, për interesin më të mirë të qytetarëve. “Unë mbetem totalisht i përkushtuar të punoj me të gjithë energjitë e mia, në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Përshendetje”- mbyll komentin e tij, kryeministri Berisha.