E Diel, 1 Nëntor 2026

PS vazhdon të tkurret, Asllan Dogjani shpall zyrtarisht largimin nga grupi parlamentar

02-04-2013 / Gazeta 55

“Duke kandiduar si i pavarur do kem mundësi të mbroj vlerat e demokracisë. Unë jam deputet i pavarur dhe do të veproj sipas kohës dhe momentit”

Partia Socialiste humbet nga radhët e saj edhe një tjetër deputet. Pas largimit të Shpëtim Idrizit, Vangjel Tavos dhe Kastriot Islamit, është radha e deputetit të Kukësit, Asllan Dogjani i cili 11 javë para zgjedhjeve, shpall zyrtarisht largimin nga grupi parlamentar socialist. Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Dogjani tha se largohet nga PS, për shkak të qëndrimeve të kryetarit Rama. Dogjani u shpreh se largimi i tij nuk është diçka e papritur, pasi është paralajmëruar kohë më parë. Në lidhje me votimin e qeverisë në Kuvend, Dogjani u shpreh se do veprojë sipas kohës. “Duke kandiduar si i pavarur do kem mundësi të mbroj vlerat e demokracisë. Unë jam deputet i pavarur dhe do të veproj sipas kohës dhe momentit”, tha Dogjani. Javët e fundit, deputeti Dogjani ka pasur kontradikta me kreun e PS-së, Rama, për shkak të moskandidimit të tij në listat e PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit.
Dogjani e ka akuzuar Ramën se është shndërruar në diktator të PS, duke shtypur alternativën e mendimit ndryshe.
Sipas paralajmërimeve, z.Dogjani do vijojë angazhimet politike në qarkun e Kukësit, por këtë radhë jo si përfaqësues i Partisë Socialiste, pasi siç dihet vendin e tij në listat e deputetëve e ka zënë prokurori Vexhi Muçmataj, i cili u prezantua nga kryesocialisti Rama vetëm pak javë më parë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›