E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët “kryqëzojnë” Ramën: Me LSI-në në koalicion kapitullon opozita. Rama të kërkojë falje për 21 janarin

02-04-2013 / Gazeta 55

Braçe në Facebook: Të tronditur, e gjithë partia është kundër koalicionit PS-LSI!

Aleatët e Partisë Socialiste janë tronditur nga lëvizja më e fundit e selisë rozë me afrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ftesën zyrtare për Ilir Metën. Në prononcimet e tyre publike, Skënder Gjinushi, Petro Koçi, Preç Zogaj dhe Ervin Mete janë deklaruar kundër bashkëpunimit PS-LSI.

Skënder Gjinushi: LSI "kalë troje", kërkon të hyjë në shtëpinë tonë si hajdute

Ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi pas lëvizjes së fundit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një komunikim për mediat, Gjinushi deklaroi se LSI minimalisht duhet ta kishte rrëzuar qeverinë me kohë si një borxh që u kishte shqiptarëve. Në vlerësimin e Gjinushit, LSI largohet nga qeveria si misionare e Partisë Demokratike dhe e kryeministrit Sali Berisha ndërsa hyn në koalicionin opozitar si hajdute. “PSD denoncon lojën e LSI në përpjekje për të mashtruar përsëri të majtën. Lëvizja e LSI synon marrjen e votave të majta për llogari të Sali Berishës. PSD ka qenë dhe mbetet pjesë e së majtës. Ne jemi në shtëpinë tonë. LSI kërkon të hyjë si hajdut në shtëpi. I zoti i shtëpisë nuk del nga shtëpia kur vjen hajduti. Përpiqet të largojë hajdutin. Ai është tepër, nuk jemi ne tepër”- tha Gjinushi.

Zogaj: Rama të kërkojë falje për 21 Janarin! Unë i them: Rrugë të mbarë!

Preç Zogaj, njëri prej pjesëtarëve të tryezës së Opozitës së Bashkuar është shfaqur kritik ndaj lëvizjes së fundit të LSI-së. “Në një koalicion të tillë siç përflitet 4 vjeçar, i bie që Opozita e Bashkuar bie. Duhet të shpiket një term tjetër për të treguar se çfarë gare kemi. Unë nuk kam vend aty. Rama është informuar që në këtë pikë rrugët tona ndahen. Unë i them: Rrugë të mbarë!”, u shpreh Zogaj. Sipas tij, është e detyrueshme që Rama të bëjë një mea culpa për 21 Janarin, jo për të vrarit sepse ata janë vrasje kriminale që duhen hetuar dhe duhen ndëshkuar deri në fund autorët, por për thirrjen e demonstratës e cila u lëshua në Bulevard pa drejtim nën shenjën e revoltës për videon Meta- Prifti.

Braçe në Facebook: E gjithë partia është kundër koalicionit PS-LSI

Në rrjetin social ‘Facebook’, deputeti socialist Erjon Braçe, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së e njëherësh edhe anëtar i kryesisë, shprehet kundër këtij koalicioni. Në përgjigje të një shënimi të bërë nga një gazetar në profilin e tij për koalicionin me LSI-në, Braçe shprehet: “Ti e di, unë jam kundër. Madje, me ç’po shoh, qenka një parti e tërë kundër”.

Kreu i G99: Jam kundër një koalicioni mes PS dhe LSI

Kryetari i Partisë G99 Ervin Mete, është shprehur për deklaratën e Zëvendës Presidentit të Parë të Parlamentit Europian Gianni Pitella, lidhur me deklaratën e tij për afrimin dhe bashkëpunimin Rama-Meta. Si një nga partitë aleate të koalicionit të majtë, kryetari Ervin Mete është shprehur kundër koalicionit  parazgjedhor midis PS-së dhe LSI-së.
“Nuk mendoj se me LSI duhet të bëhet aleancë parazgjedhore. Edhe pse në parim bashkimi i forcave të majta është i mirëpritur, mendoj se LSI ka humbur shumë nga identiteti i vet i majtë në këto vite qeverisje. Reflektimi i LSI-së për t’u larguar nga qeveria është po ashtu i mirëpritur, edhe pse shumë i vonuar. Sidoqoftë, gjykoj se nuk ka as argumenta moralë dhe as argumenta matematikore për të realizuar një koalicion parazgjedhor me LSI”, u shpreh ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›