Ftesë dhe ndalim
Paralelet e reja - Më 23 mars 2009 presidenti Boris Tadiç, gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për Kosovën, që nga Nju-Jorku deklaroi: “Është e qartë për këdo se 13 muaj pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë, Kosova nuk është shtet”. Politikani Vuk Drashkoviç, ish-zv.kryeministër i qeverisë së Milosheviçit, tha për Deutsche Welle: “Shqiptarët dhe Kosova nuk mund të përparojnë nëse mbeten në armiqësi me serbët dhe Serbinë”. Po të zhbirosh në përmbajtjen politike të fjalëve të Tadiçit, kreu i sotëm i Serbisë, e të Drashkoviçit, opozitar i djeshëm, zbulon lehtësisht se ata i shqetëson shumë shfaqja domethënëse e shtetit të Kosovës. Tadiçi, drejtpërdrejt në stilin e ashpër serb, thotë me pezëm: Nuk ka shtet! Ai, duke mohuar, lë të nënkuptohet që mbi shtetin e Kosovës duhet të jetë Serbia. Drashkoviçi, me më tepër stërhollim, në stilin dinak serb, pranon që Kosova është shtet, por ajo mund të përparojë vetëm nën Serbi.
Në Kosovë ka ndodhur përmbysja nga themeli në kohën e shfrimeve raciste serbe kundër shtetformimit shqiptar. Serbia gjendet e befasuar me kundërveprimin e shtetit të ri fqinj. Le të mos merremi as me gjashtëpikëshin e OKB-së dhe as me shuarjen e UNMIK-ut, por me shfaqjen dinjitoze të shtetit të Kosovës e të veprimit të vendosur të qeverisë së saj, gjatë daljes nga hijezimi i resë së rëndë - UNMIK. Ndoshta, në dhjetë vjet paqe dhe mbi një vit pavarësi, shteti i Kosovës nuk është treguar më shtet se sa, në dy mbrojtje ligjore e politike, njëlloj siç bëjnë shtete të vjetër e me histori.
Ftesa e beftë që kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi i drejtoi Tadiçit, nuk u tha për të larë gojën me Beogradin, as për të sfiduar Serbinë terroriste, as për të luajtur diplomaci me pakicën serbe. Përgjigja e Beogradit ishte mjerim: Tadiç stërtha se, kurrë nuk do ta njohin pavarësinë, as drejtpërdrejt e as tërthorazi. Nuk është asfare e vështirë, të hetohet dëshpërimi i tij politik, mbi të vërtetën tjetër: forcimi i shtetit të Kosovës. Nëse ftesa e Thaçit mbetet thirrje elegante, kurajoze dhe e përhershme për ndërtimin e marrëdhënieve të reja Kosovë-Serbi, përgjigja e vrazhdë e Tadiçit fluturon jashtë kohe, për marrëdhënie si të dikurshmet Serbi – Kosovë.
Veprimet nëpërkëmbësh të Serbisë dhe të zyrtarëve të lartë të saj, ndaj shtetit të Kosovës, ua kalonin deklaratave që ata bëjnë. Kjo gati po i vendoste në një përballje, të ndërlikuar e mosbesuese, popullin e Kosovës me qeverinë e vet dhe Qeverinë e Kosovës me UNMIK-un: Tadiç, Koshtunica, Samarxhiç, le më të tjerë pas tyre, zbrisnin e vërdalliseshin politikisht nëpër Kosovë kur e sa herë u tekej, kryenin zgjedhje e sajonin provokime, bënin thirrje për përmbysje të rendit kushtetues që nga midisi i midisit të tokës së Kosovës.
Shteti i Kosovës po dëshmohet qysh kur synon të përshtatë politikën e ndërsjellë: Ti nuk merr leje nga shteti për të vizituar Kosovën, shteti ligjor i Kosovës të ndalon hyrjen në kufi! Ndalimi dhe kthimi mbrapsht, i zyrtarëve të lartë serbë, të cilët shpërfillin kushtetutën e Kosovës dhe veprojnë mbi kushtetutën e shtetit të Serbisë, përveç që janë të drejta e të mbështetura, ato e kanë rritur dinjitetin e shtetit të ri para syve të qytetarëve të vet. Beogradi nuk ka përballë vetëm pavarësinë si zgjidhje, por edhe shtetin në përkryerje.
Ndërkaq, Vuk Drashkoviç, ekuacionin e tij politik ndaj Kosovës dhe shqiptarëve e shtron kryekëput si nacionalist radikal, sepse janë Serbia dhe serbët ata që ushqyen, edhe me gjak, armiqësi kundër shqiptarëve, nuk njohin pavarësinë e tyre dhe përpiqen t’ua nëpërkëmbin shtetin e krijuar. Mirëpo, qeveria e Kosovës i përcolli Beogradit vizion, me dy veprime të jashtëzakonshme politiko - ligjore: ftesë dhe ndalim! Ky nuk është qëndrim kundërthënës i Prishtinës, por politikë e ndërsjellë e shtetit të Kosovës. Në traditën ballkanike, ftesa është miqësi, kurse hyrja e fqinjit pa leje e, pas futjes brenda, sjellja edhe si zot shtëpie në shtëpinë e tjetrit, bëhet e ndëshkueshme.