E Martë, 3 Nëntor 2026

“Ftohje diplomatike”/ Mediet greke: Mitsotakis nuk e ftoi Ramën, mesazh për Belerin

Mbajtja nën arrest e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, po krijon një ngërç diplomatik me Greqinë, i cili ka tendosur edhe marrëdhëniet mes kreut të qeverisë, Edi Rama, dhe homologut Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis ka bërë të ditur se të hënën do të presë në selinë e tij liderët e rajonit për të diskutuar mbi të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.

Por sipas medieve greke, kryeministri Rama nuk është ftuar qëllimisht nga homologu Mitsotakis dhe në vend të tij ftesa iu dërgua presidentit Bajram Begaj, i cili ka konfirmuar se e kishte të pamundur pjesëmarrjen.

“Vendimi i Athinës për t’i dërguar një ftesë presidentit të Shqipërisë, Begaj, pasqyron synimin për t’i dërguar mesazh Edi Ramën se ka njëfarë shqetësimi, siç ndodhi në rastin e Maqedonisë së Veriut, ku presidenti gjithashtu ka kompetenca të kufizuara dhe kryeministri ka pushtetin e vërtetë, prandaj edhe ftesa iu bë kryeministrit Dimitar Kovaçevski,” shkruan Kathimerini.

Sipas të përditshmes greke, ky zhvillim duhet parë si një mënyrë diplomatike që i tregon kryeministrit Rama se thyerja në marrëdhënie mes Athinës dhe Tiranës po zgjerohet dhe se Greqia nuk negocion për çështje parimore, siç është shkelja e të drejtave të njeriut si edhe në rastin Beleri.

Athina ka intensifikuar përpjekjet për lirimin e Belerit pas mbi tre muajsh paraburgim.

Këtë javë, kryebashkiaku i Athinës ishte zyrtari i radhës që iu bashkua tubimit të organizuar nga “Omonia” për lirimin dhe betimin e tij në detyrë.

Vetë kryeministri Rama ka thënë se arrestimi i Belerit me akuzën për shitblerje votash është çështje e gjyqësorit shqiptar, jo e shtetit grek.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›