E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fton austriakët

Kryeministri Hashim Thaçi ftoi investitorët austriakë që të vijnë në Kosovë. Gjatë një takimi me Kancelarin e Austrisë, Werner Faymann, Shefi i Qeverisë ritheksoi gatishmërinë e Prishtinës për dialog me Beogradin - si rast që ndihmon substancialisht në integrimin e rajonit në BE.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar të hënën në Vjenë Kancelarin e Austrisë, Werner Faymann

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Austrisë, thellimin e këtyre marrëdhënieve, për investimet austriake në Kosovë dhe për perspektivën europiane të Kosovës.

“Kryeministri Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës i shprehu kancelarit austriak, Faymann, mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Qeveria e Austrisë i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga periudha e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës dhe tani në periudhën e integrimit dhe zhvillimit”, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë.

Në takim, Kryeministri Thaçi prezantoi të arriturat e institucioneve të Kosovës, përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve europiane të integrimit, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë dhe angazhimet institucionale për fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në tërë territorin e vendit.

“Kryeministri Thaçi në takim ritheksoi ftesën për investitorët austriakë për të ardhur për të investuar në Republikën e Kosovës”, vazhdon komunikata.

Në këtë takim, Kryeministri Thaçi theksoi se dialogu teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për institucionet e Kosovës është vlerë europiane, që do të ndikojë substancialisht në integrimin e rajonit në Bashkimin Europian.

“Nga ana e tij, Kancelari i Austrisë, Werner Faymann shprehu konsideratat më të larta të tij dhe të Qeverisë së Austrisë për përkushtimet e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të integrimit europian, dhe vlerësoi se qasja pozitive dhe konstruktive e Republikës së Kosovës sa i përket dialogut teknik me Serbinë, tregon pjekurinë e lartë të institucioneve të Kosovës në raport me përmbushjen e agjendës europiane të integrimit”, thuhet në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›