E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuere:Konsensus politik për ligje të rëndësishme

Ambasadori i Bashkimit Evropian(BE) në Maqedoni, Ervan Fuere deklaroi se konsensusi midis pozitës dhe opozitës është garanca më e mirë për suksesin e vendit.

Ai në intervistën për televizionin maqedonas Kanal5 në Shkup nënvizoi se mënyra e miratimit të ligjeve të fundit nëpërmjet një procedure urgjente dhe pa praninë e opozitës ka qenë çështje problematike.

“Gjithnjë kemi thënë dhe tërhequr vërejtjen se ligjet e rëndësishme, siç ishin disa ligjet e fundit, duhet të miratohen në frymën e konsensusit, duke patur për bazë dialogun politik midis të gjitha partive politike.Kjo do të garantonte që këto ligje të pranohen sa më mirë dhe të bëhet implementimi i tyre. Ndaj, shpresoj se do të gjendet zgjidhje për të gjitha këto ligje që të hyjnë në fuqi në përputhje me Kushtetutën dhe do të ketë përpjekje më të mëdha nga të gjitha palët për promovimin e dialogut”, theksoi evroambasadori Fuere.

Diplomati i parë i BE-së përsëriti pozicionet e Brukselit se më mirë është që të fokusohet në cilësi, se sa në shpejtësinë e miratimit të ligjeve. Ambasadori Fuere tha se ka mbështetur planin e presidentit Cërvenkovski për faljen e nënkryetarit të LSDM-së dhe kryetarit të Strumicës, Zoran Zaev dhe mosdekretimin e disa ligjeve, sepse sipas tij qëllimi ishte që të normalizohet puna e Parlamentit.

“Mendoj se duhet të jemi të qartë se ne ate që mbështetëm ishte një nismë për kthimin e opozitës në Parlament.Nëse një nismë e tillë do të vinte edhe nga Qeveria, atëherë ne njëllojë apo edhe më mirë do ta kishim mbështetur, sepse besojmë se përgjegjësia e koalicionit qeveritar është që të bëjë përpjekje plotësuese për të bindur opozitën për t`u kthyer në Parlament”, theksoi evroambasadori Ervan Fuere.

Ai vlerësoi se është herët për të thënë se si do të jetë raporti vjetor i Komisionit Evropian për Maqedoninë. “Është herët të vlerësohet se si do të jetë raporti vjetor i KE-së për Maqedoninë që do të shpallet në nëntor. Por gjithë zhvillimet e fundit në vend do të jetë pjesë e raportit. Gjithsesi, mendoj se në raportin e ri do të potencohet nevoja e punës nga ana e Qeverisë dhe partive që të jenë me konzistente dhe më të fokusuara në reforma në frymën e konsensusit, duke siguruar që zgjedhjet lokale në pranverën e ardhshme të zhvillohen në mënyrën më të mirë, duke shmangur të gjitha gabimet që ndodhën në zgjedhjet e fundit të qershorit. Kjo do të jetë një sprovë për vendin”, theksoi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›