FINANCAT PERSONALE Çmenduri pas overdraftit
Overdrafti zakonisht është kredi njëvjeçare dhe e rinovueshme. Është e disponueshme në çdo kohë. Nuk është e nevojshme të shlyesh këste mujore. Mjafton që në gjendje të kesh para të mjaftueshme për të paguar interesat. Vetëm se në të gjithë botën konsiderohet si kredia më e shtrenjtë, me norma interesi sa dyfishi i normave të kredive të zakonshme. Në Shqipëri nuk është e mundur të mësohet se sa është interesi i paguar për kreditë overdraft, për shkak se asnjë bankë nuk i shpall publikisht. Në banka të ndryshme, interesat për këtë lloj kredie arrijnë në 2% në muaj, pra me një normë vjetore që shkon përtej 25%. Për bizneset, të cilat kanë kapacitete negociuese, interesat ulen deri në 15%.
Mungon transparenca dhe mbikëqyrja
Në të gjitha vendet e zhvilluara, bankat detyrohen t’i nënshtrohen disa kushteve të përgjithshme të përcaktuara nga autoritetet mbikëqyrëse në mbrojtje të interesave të konsumatorëve. Në SHBA, Itali e vende të tjera, ekziston një “normë e kredisë fajde”, pra një kufi tavan për interesin e kredisë së lëshuar për klientët. Kufiri tavan ndryshon nga vendi në vend, por zakonisht është dyfishi i normës bazë të interesit në ekonomi. Në Britaninë e Madhe, një rregullore e veçantë ka vënë nën kontroll emetuesit e kredive overdraft, me synim që të mbrojë konsumatorët. Rregulli i parë për këtë është detyrimi i bankave për të informuar në mënyrë të qartë klientët mbi normat e interesit për kredinë overdraft, gjë që në Shqipëri, tani për tani nuk ndodh. Një element tjetër shqetësues është fakti se detyrimi i bizneseve dhe të të punësuarve të administratës publike të marrin pagat në një bankë të caktuar, pa përjashtuar çdo mundësi për konkurrencë në këtë sektor. Por ndërkohë, kredia overdraft po zë një peshë të rëndësishme në portofolat e kredive. Për ata që mendojnë të marrin një oferdraft, këshillohet që së paku të pyesin te sporteli i bankës mbi normën e interesit që do t’u mbahet për këtë kredi.