E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fukushima cmontimi brenda 10 vjetesh

Centrali bërthamor në Fukushima do të çmontohet tërësisht brenda 10 vjetësh. Toshiba, kompania që prodhon reaktorë berthamorë në Japoni, tha se nxjerrja jashtë funksioni për Fukushimën, do të përfshijë zbrazjen e karburantit, çmontimin e sistemit dhe shembjen e strukturës.

10 vjet janë dy të tretat e kohës që u desh për çmontimin e centralit amerikan, Three Mile Island i cili pësoi një shkrirje të pjesshme të bërthamës radioaktive në vitin 1979.

Me situatën e tërmeteve të vazhdueshme, siguria e centralit mbetet një problem madhor për Qeverinë japoneze. Gjithsesi, kryesekretari i kabinetit, Jukijo Edano thotë se është tepër herët për të pasur një axhendë të saktë të çmontimit.
Kompania që operon centralin, Tepco ndërkohë ka njoftuar se do të vazhdojë derdhjen e ujit radioaktiv në oqean edhe një ditë më shumë, pasi procesi pritet të përfundojë të dielën. Nuk ka më vend për ujin që bëhet radioaktiv pasi ftoh reaktorët, pasi punëtorët kanë pompuar tonelata të tëra.

Qeveria japoneze ka njoftuar se do të lehtësojë shtrëngimet mbi prodhimet ushqimore që vijnë nga zona e Fukushimës, pasi më herët, gjurmë radioaktive u gjetën në qumështin dhe spinaqin. Banorët e Tokios nuk kanë ngurruar të blejnë në treg këto prodhime, nisur edhe nga mungesat e kohëve të fundit në treg.

Gati një muaj pas tërmetit dhe cunamit të 11 marsit, qytete të tëra në zonën e prekur vazhdojnë të jenë të pabanueshme.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›