E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Berisha dhe Rama kanë topin në fushë

Komisioneri për Zgjerimin kërkon nga palët të veprojnë për zgjidhjen e krizës

Kur kanë kaluar dy javë nga takimi i Strasburgut mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, me ndërmjetësimin e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, gjithçka duket se është në vendnumëro. Palët në Shqipëri nuk po thonë asgjë të re për arritjen e ndonjë rezultati konkret edhe pse është bërë e qartë se kjo mund të rrezikojë statusin e vendit kandidat. Në këtë panoramë të pandryshuar shqiptare, edhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, nuk ka shumë për të thënë, të paktën publikisht. I pyetur nga “Top Channel” në Sarajevë se deri kur do të presin për zgjidhjen shqiptare, komisioneri Fule nuk përqendrohet te koha e zgjidhjes, por te mesazhi se kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin shqiptarët, sepse siç shprehet komisioneri për Zgjerimin, liderët politikë në Shqipëri janë të ndërgjegjshëm për mesazhet që u janë dhënë në Strasburg.

“Ata e kanë procesin në duart e tyre tani. Ata e njohin përgatitjen tonë për t’i ndihmuar sa më shumë që të mundemi. Ata janë në dijeni të kërkesave nga drejtuesit e dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian. Topi është në fushën e tyre”, thekson ai. Por, prej dy javësh loja nuk po luhet në fushë, megjithëse spektatorët, në këtë rast shqiptarët, janë në pritje. Dhe, nëse dy ekipet, do të vazhdojnë të jenë në të njëjtat pozicione, zgjidhja mbetet zhvillimi i një ndeshjeje tjetër, sërish në fushë asnjanëse.

Dy ditë më parë, zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian thanë se deri në fund të vitit Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina mund të fitojnë statusin që qytetarët e tyre të udhëtojnë pa viza.

Por zyrtarët, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm të Spanjës, Alfredo Perez Rubalcaba, dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini, thanë se këto dy vende duhet të zbatojnë më shumë reforma për të provuar se janë gati për këtë privilegj. Reformat përfshijnë luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e shtetit juridik dhe të masave të sigurisë për pasaportat.

Komisioni Europian, organi ekzekutiv i Bashkimit Europian, rekomandoi muajin e kaluar udhëtimin pa viza të qytetarëve shqiptarë dhe boshnjakë. Komisioni Europian e konsideron çështjen e heqjes së vizave si një gurë themel të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Parlamenti Europian dhe të 27 vendet anëtare të BE-së duhet të miratojnë politikën e re. Vitin e kaluar, Bashkimi Europian eliminoi kërkesat për viza për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Deklarata e djeshme e komisionerit Stefan Fule vjen një ditë pas skadimit të “ultimatumit” të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar për klasën politike shqiptare. Më 21 maj, Kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës, Edi Rama, u thirrën në një darkë pune në Strasburg ku dhe biseduan nën ndërmjetësimin e kreut të PPE-ve, Josep Doll, dhe atij të PSE-ve, Martin Schultz. Aty u ra dakord që palët të angazhoheshin për zgjidhjen e krizës politike që vijon që nga shtatori i vitit të shkuar. Pas atij momenti, shefja e kabinetit të komisionerit për zgjerimin zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë ku negocioi me të dyja palët pa arritur një rezultat.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›