Oficerët për gradat: U publikua një listë dhe u zhduk pas 6 orësh

Vendimi përfundimtar për konkursin e gradave në polici është marrë dje nga Komisioni i Apelimit, ndërkohë që ende vazhdojnë të mbeten me pikëpyetje disa pretendime që ngrenë për gazetën oficerë të policisë. Ata shprehen se ditën e hënë është publikuar një listë tjetër në muret e Akademisë së Rendit, ndryshe nga ajo e ditës së shtunë, kur u realizua konkursi për gradën “Komisar”. Ata shpjegojnë se lista ka qëndruar vetëm gjashtë orë dhe më pas është hequr, duke lënë në mënyrë të pazgjidhur origjinën e saj dhe vendin ku ka përfunduar. Oficerët konkurrues shprehen se, duke njohur procedurën, ditën e hënë janë interesuar nëse emrat e tyre kishin dalë fitues, meqë prisnin për shumë pak pikë, dhe kanë shkuar pranë Qendrës së Formimit Policor për të mësuar për vendimin e rivlerësimit.
Në këtë ambient kanë gjetur të afishuar një listë, ku veç 60 personave të parë ishin shpallur fitues edhe persona të tjerë, duke çuar listën në 85 veta. Megjithatë, kjo listë nuk përmbante emrat e personave të cilët vinin direkt pas kufirit të 60 pikëve, minimumi që duhej të mblidhte çdo oficer për kualifikim, por ishin të përzier. Megjithatë, lista u zhduk dhe policia nuk e pranoi asnjëherë zyrtarisht se një listë e tillë ka ekzistuar, duke deklaruar se ajo do të publikohet vetëm pas vendimit të Komisionit të Apelimit. Ky komision ka dhënë përgjigjen e tij dje, ku janë shpallur fitues të testimit me shkrim 105 veta. Nga 60 të parët që fituan direkt, pas ankesave në këtë komision dhe pas rivlerësimit, u vendos që të kalojnë këtë testim 105 veta. Burimet shpjegojnë se nga i gjithë testimi janë shpallur të pavlefshme katër pyetje. Në procedurat standarde shpjegohet se nëse një pyetje nuk i përgjigjen më shumë se 90% e gjithë grupeve, atëherë ajo zhvlerësohet. Duke kontrolluar testimet kanë rezultuar katër pyetje të tilla, që të gjithë grupet nuk i janë përgjigjur në masë prej më shumë se 90%. Atëherë është vendosur që të gjithë atyre personave që nuk u janë përgjigjur këtyre pyetjeve, do t’u shtohet nga një pikë për pyetje.
Në këto kushte, Komisioni i Apelimit ka vendosur të shikohen testet e të gjithë konkurrentëve që kanë mbledhur më shumë se 56 pikë. Ata që kanë rezultuar se nuk u janë përgjigjur pyetjeve, u janë shtuar pikët përkatëse. Por këto pikë u janë shtuar edhe oficerëve që kanë kaluar kufirin prej 60 pikësh, në rastet kur nuk u ishin përgjigjur të njëjtave pyetje. Pra, një oficer që nuk u ishte përgjigjur të katër pyetjeve që janë evidentuar nga Komisioni i Apelimit dhe në rezultatet e arritura ka marrë të paktën 56 pikë, atëherë automatikisht ai ka shkuar në 60 pikë dhe quhet i kualifikuar për fazat e tjera të testimit për të fituar gradën komisar. Në përfundim të kalkulimeve ka rezultuar se kufirin prej 60 pikësh e kalojnë 105 oficerë policie, megjithëse dyshimet nuk kanë përfunduar edhe për shkak të testimit të realizuar me laps.
Komisioni i Apelimit ka marrë në shqyrtim edhe 26 ankesa nga oficerë të ndryshëm, që kryesisht punonin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ata kanë dhënë përgjigjet përkatëse për secilin prej tyre dhe pothuajse 80% e të ankuarve kanë kaluar testin me rivlerësimin e bërë. Tashmë ata do u nënshtrohen dy testimeve të tjera. Në përfundim të testimeve ata duhet të kenë mbledhur të paktën 60% të pikëve në total. Nëse ata nuk e kanë kaluar këtë kufi, atëherë nuk mund të përfitojnë gradën. Ndërsa gjithë të tjerët që do të kalojnë të tria testimet do të renditen sipas pikëve maksimale të mbledhura. Fillimisht do t’u gjenden funksionet e lira atyre që kanë mbledhur më shumë pikë dhe më pas sipas renditjes. Urdhri i drejtorit të përgjithshëm sqaron se janë 60 funksione të lira, për të cilat do të konkurrojnë 105 oficerët e kualifikuar në testin e parë. Në përfundim, për 60 funksionet vakante, do të trajnohen 66 veta, ose siç cilësohet në urdhër, 10% më shumë se numri i funksioneve. Gjatë këtij testimi pati shumë ankesa, që nga mënyra e kryerjes së tij e deri te vlerësimi.
#