Bariu fëmijë, viktimë e një jete të vështirë
Një 10-vjeçar nga fshati Fshat i Komunës së Grykës së çajës ka humbur jetën ndërsa kulloste lopën. Nderim Karanxha nxënës i klasës së katërt, i biri i Kapllan Karanxhës, emigrant në Francë, kishte lidhur lopën me litar duke e tërhequr me dorë.
Por në një moment të caktuar lopa e acaruar nga miza ka vrapuar duke e tërhequr zvarrë bariun e vogël nëpër rrëpirat e fshatit dhe nga ky shkak ai ka mbetur i vdekur. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, ndërsa sot 10-vjeçari është përcjellë në banesën e fundit me një ceremoni të veçantë. Përveç familjarëve kanë marrë pjesë edhe të gjithë nxënësit e shkollës së fshatit. Tre vite më parë në fshatin Fshat nga një ngjarje e ngjashme pat humbur jetën një grua 40 vjeçe.
Ashtu si nxënësit e tjerë, Nderimi, shkollari i klasës së katërt ka vijuar mësimin ashtu i përpiktë dhe shembullor, siç ishte dhe siç e njihnin mësues e shokë. Si shumica e fëmijëve të fshatit ai pasditeve ka ndihmuar familjen duke ruajtur bagëtitë. Përkatësisht 10-vjeçari ruante lopën e vetme të shtëpisë e cila mbante me qumësht atë dhe katër fëmijët e tjerë. Ditë më parë lopa kishte pjellë dhe kjo do të thotë që mbajtja në kullotë bëhet edhe më e vështirë. Për të mos bërë dëm në arat e fshatarëve dhe për të mos humbur, bariu i vogël e ka lidhur lopën me litar ndërsa njërin skaj të litarit e ka mbështjellë në njërën dorë. Banorët e fshatit thonë se lopën e kishte “marrë miza”. Ndodh vërtet që nga thumbimi i një insekti lopa të acarohet dhe vrapon si e tërbuar. Kjo gjë ka ndodhur edhe me 10-vjeçarin teksa mbante në kullotë lopën e shtëpisë të lidhur për litari. Lopa e acaruar kishte ndaluar disa kilometra larg fshatit në shpellat e çajës, ndërsa nxënësi kishte mbetur në rrëpirë i copëtuar nga tërheqja e tmerrshme, prej disa qindra metrash ku edhe litari ishte këputur. Disa prej fshatarëve që kanë parë skenën e tmerrshme kanë vrapuar në drejtim të lopës për ta ndaluar, por ka qenë e pamundur. Një grup njerëzish ka vrapuar shumë shpejt te djali i vogël, por ai kishte dhënë shpirt. “E ka marrë miza lopën dhe fatkeqësisht litari i mbështjellë për dore ka qenë fatal për Nderimin e vogël”, tha një fshatar dje në ceremoninë e varrimit.
Varrimi i të mituritMe të ndodhur ngjarja tragjike, familjarët kanë nisur gjëmën në shtëpi, si dhe kanë njoftuar baba Kapllanin që ndodhej në Francë si emigrant. Ky i fundit fluturon me të shpejtë me një avion në Shqipëri dhe arrin në fshatin e tij pak orë para se të bëhej varrimi i të birit. Në varrimin e të miturit kanë marrë pjesë edhe nxënësit e shkollës ku çdo klasë i ka kushtuar një kurorë me lule. Mësuesi i fshatit, Tefik Shehu, tha se nxënësi-bari 10-vjeçari Nderim Karanxha ka qenë një nga nxënësit më mirë në shkollë, i edukuar dhe shumë i lidhur me familjen dhe me punët e bujqësisë. Ai na bëri të kuptojmë se 10-vjeçari kishte qenë viktimë e një jete të vështirë që bëhet në fshat ku familjet e lidhin ekzistencën dhe ushqimin e fëmijëve me një lopë të vetme, për të cilën duhet të kontribuojnë edhe fëmijët e vegjël. Ky është mendimi mbizotërues në fshatin e vogëlushit dhe në zonë.
“Ai ishte viktimë e një jete të vështirë”, pohoi një fshatar. Edhe më herët pakujdesi të tilla brenda kësaj “jete të vështirë”, u kishin kushtuar jetën personave barinj. Rreth katër vjet më parë një grua në fshatin Fshat gjeti vdekjen e rrëzuar në shkëmb pikërisht duke kullotur bagëtinë.
#