E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Problemet të zgjidhen përmes dialogut

(E plotësuar) Komisionari evropian për Zgjerim, Stefan Fule, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet përmes rrugës së dialogut dhe se në këtë drejtim ato do të gëzojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur interesimit të medieve se cilat do të jenë temat e bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket pyetjes së dytë të parë shumë nga Prishtina dhe Beogradi këta do ta kenë gjithë mbështetjen e duhur nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga Bashkimi Evropian, por është puna këtu të këtyre dy kryeqyteteve të gjejnë atë rrugë të dialogut. Unë mendoj se duhet të përdorim në çdo moment çdo mundësi që kemi edhe para GJND-së për të ritheksuar bashkëpunimin. Ka një numër të çështjeve që kanë Kosova dhe Serbia, dhe për të cilat mund të bëjnë bashkë, dhe kjo vetëm se mund të inkurajohet nga ana jonë”, ka thënë Fule.

Duke folur rreth perspektivës së Kosovës, komisionari Fule ka thënë se duhet punuar edhe më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë nënvizuar në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Nga ana e tij kryeministri, Hashim Thaçi, i ka konfirmuar zyrtarit evropian edhe gatishmërinë e Kosovës për bisedime me Serbinë, mbi parimin e dy shteteve të barabarta dhe për çështje të interesit të ndërsjellë.

“Ne zhvillojmë takime me vende të rajonit edhe me Maqedoninë edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi, bisedojmë për çështje praktike të nevojshme për dy vende dhe popujt tanë në këtë drejtim do të ketë edhe takime, do të ketë edhe biseda për jetë më të mirë të dy vendeve tona, edhe të Kosovës, por edhe të Serbisë, për ndërtimin e relacioneve të reja bashkëpunuese dhe integruese dhe respektimit të plotë të standardeve euroatlantike. Sa më shpejt që normalizohen raportet Prishtinë-Beograd aq më shpejt të dy vendet tona, por edhe krejt rajoni do të jetë pranë familjes evropiane edhe zyrtarisht”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e krimit dhe korrupsionit, duke përjashtuar interferencën e politikës në organet e drejtësisë, pasi që sundimi i ligjit është krucial për ndërtimin e rendit demokratik.

“Janë duke u bërë reforma në të gjitha drejtimet, të cilat do të përfshihen në raportin e progresit të këtij viti. Natyrisht që ka edhe plot ballafaqime tjera të cilat ne duhet t’i kryejmë sidomos reformat në drejtësi, por ne jemi duke proceduar legjislacionin më bashkëkohor me standarde më të larta të BE-së”, ka thënë ai.

Fule: Sundimi i ligjit, kusht kryesor për stabilitet

Komisionari i BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, ka porositur institucionet e Kosovës se sundimi i rendit dhe ligjit është kusht kryesor për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit, duke thënë se Kosova duhet të punojë akoma më shumë me qëllim të përforcimit të sektorit të drejtësisë.

Ai këto komente i bëri të enjten me rastin e përurimit të ndërtesës së re të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të cilën morën pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe ai i Integrimeve evropiane Besim Beqaj.

Fule ka thënë se ndërtesa e re e MBP-së e cila po inaugurohet sot është dëshmi e vazhdimit të përkrahjes dhe përkushtimit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke përkujtuar se përmirësimi i infrastrukturës krijon kushte më të mirë pune si dhe ambient.

“Sundimi i ligjit është kusht kryesor për stabilitetin dhe prosperitetin, dhe është fundamentale për integrim në Bashkimin Evropian. Sfidoftë, është parakusht për ndërtimin e mirë të Kosovës dhe qytetaret e saj. Pa sundimin e ligjit Kosova nuk do të ketë prosperitet. BE ka interes për të pasur një partner të fuqishëm dhe efektiv në Kosovë, në luftimin e krimit të organizuar dhe vendosjes së sundimit të ligjit”, ka thënë komisionari Fule.

Për më tepër, komisionari Fule ka theksuar se pavarësisht asistencës së BE-së Kosova ka nevojë për të punuar më shumë me qëllim të përforcimit të sundimit të ligjit, ndërsa premisat e reja do të ndihmojnë Kosovën drejt kryerjes së detyrave të reja dhe se shpreson që MPB-ja do t’i përdorë këto premisa sa më mirë në të ardhmen.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ndërtesa që po inaugurohet është ndërtuar bashkërisht me fondet e Qeverisë së Kosovës dhe me asistencën e Komisionit Evropian.

“Sot kjo ndërtesë në këtë hapësirë simbolizon, rend, ligj, siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në vendin ku është ndërtuar ky objekt ri i standardeve të reja perëndimore në të kaluarën ka përfaqësuar shtypjen, diskriminimin dhe dhunën”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve demokratike për integrim në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se objekti i ri i ministrisë që ai drejton ofron kushte më të mira pune, gjë e cila do të ndikojë në përmirësimin e performancës dhe rritjes së efikasitetit të punës.

“Në agjendën e Qeverisë së Republikës së Kosovës prioritet kyç mbetet plotësimi i kritereve teknike për procesin e liberalizimit të vizave në Bashkimin Evropian. Ky projekt dëshmon se kemi ndërtuar një partneritet të fuqishëm me Komisionin Evropian dhe implementimin e agjendës evropiane për Kosovën”, ka thënë Rexhepi.

Për më tepër ministri Rexhepi theksoi se para Ministrisë së Punëve të Brendshme ka shumë sfida të cilat pritet të tejkalohen me punë dhe angazhim të vazhdueshëm në të ardhmen. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›