E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel: Kurrë nuk pranojmë ndarje të Kosovës

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka siguruar presidentin Fatmir Sejdiu se vendi i saj do të ndihmojë Republikën e Kosovës në të gjitha fushat, duke thënë se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe se Gjermania nuk do ta pranojë kurrë ndarjen e Kosovës.

Këtë përkushtim ajo e bëri të qartë gjatë një takimi që zhvilloi të premten në Berlin, me kreun e vendit tonë, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në shtetin gjerman.

Në këtë takim me kancelarin Merkel, presidenti Sejdiu është shoqëruar nga ministrat Skender Hyseni, Ahmet Shala e Lutfi Zharku, si dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita.

Kancelarja Merkel theksoi se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm.

“Ne kurrë nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës. Çështja e statusit të Kosovës është e vendosur një herë e përgjithmonë dhe këtë ia kemi thënë edhe Serbisë”, ka thënë kancelarja Merkel, duke shtuar se Kosova është guri i fundit i një rendi të ri në Ballkan.

Merkel përkujtoi gjithashtu se Gjermania është aktive edhe në planin e sigurimit të njohjeve të reja të Republikës së Kosovës.

“Kemi interes të përbashkët që Kosova të zhvillohet”, tha Merkel, transmeton Kosovapress.

Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga kancelarja Merkel dhe drejtuesit e tjerë gjermanë që të inkurajojnë investitorët gjermanë që të investojnë në Kosovë, dhe kërkoi njëkohësisht krijimin e mundësive për punësim sezonal të punëtorëve nga Kosova në Gjermani.

Sejdiu përkujtoi edhe një herë se nuk janë realizuar skenarët e kundërshtarëve të pavarësisë që shpreheshin se Kosova e pavarur do të jetë vend jo stabil.

“Njohjet e reja të shtetit të Kosovës, zhvillimi i institucioneve të vendit dhe periudha e kaluar më shumë se dy vjet nga shpallja e pavarësisë së vendit kanë dëshmuar krejtësisht të kundërtën e këtyre skenarëve”, ka theksuar kreu i vendit.

Ai ka thënë se Serbia po vazhdon me obstruksione dhe ende refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, si dhe nxit pjesëtarët e komunitetit serb që të mos e njohin këtë realitet, duke i financuar njëkohësisht edhe strukturat paralele në vend.

Gjithashtu, presidenti Sejdiu ka folur edhe për vazhdimin e prezencës ndërkombëtare në vendin tonë, duke thënë se reduktimi i KFOR-it duhet të bëhet paralelisht me ngritjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe në harmoni me stabilitetin në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›