E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Zgjidheni krizën brenda 19 marsit. Topi, mesazh për zgjidhje

Mesazhet Komisioneri i BE-së: Shpresoj shumë që ngërçi të mund të zgjidhet para vizitës sime

Ylli Pata, Mimoza Haxhialiu

Bashkimi Europian ka reaguar menjëherë pas prishjes së kompromisit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës në lidhje me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Brukseli zyrtar ka folur dje me gojën e një prej anëtarëve më të rëndësishëm të komisionit “Barroso”, përkatësisht çekut Stefan Fule, i cili nesër viziton zyrtarisht Shqipërinë, por që prej dy ditësh ka nisur një turne ballkanik. Me anë të një deklarate për shtyp, që është shpërndarë nga Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë, Fule, i ka bërë thirrje Berishës që ta zgjidhë krizën në seancën e sotme të Kuvendit, kur do të diskutohen edhe amendamentet e miratuara nga mazhoranca në Komisionin parlamentar të Ligjeve, por edhe drafti autentik i opozitës. Në qëndrimin e tij zyrtar, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, deklaroi: “Shpresoj shumë që ngërçi që lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste, të mund të zgjidhet para vizitës sime dhe do t'u bëja thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku, në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj europiane". Kjo deklaratë ka dy pjesë të rëndësishme që mund të interpretohen si mesazh i qartë i Brukselit më shumë ndaj mazhorancës. Fule e lidh në mënyrë të pashmangshme qëndrimin e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvend, me zgjidhjen e ngërçit politik që është krijuar që prej vjeshtës së kaluar. Ndërkaq, në pjesën e dytë të deklaratës theksohet se kjo zgjidhje duhet të bëhet pikërisht për të përshpejtuar hapat e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, sepse përndryshe ndëshkimi do të jetë i hidhur. Komisioneri Stefan Fule, i cili është një personalitet i njohur politik dhe diplomatik jo vetëm në vendin e tij (çeki), por edhe në Europë, do ta vizitojë Tiranën të premten ku do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Përpara se të vijë në Tiranë, Fule dje ka vizituar Beogradin, sot do të ndalet në Podgoricë dhe nesër do të qëndrojë në Prishtinë dhe Tiranë. Në takimet me krerët e shtetit dhe politikës, Fule do të diskutojë domosdoshmërish për krizën dhe nëse ajo nuk do të zgjidhet pritet që të jepet zyrtarisht paraprirja e lajmeve të këqija për vizat, por edhe për statusin e vendit kandidat.

Topi

Paralelisht me komisionerin Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, edhe kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka kërkuar zgjidhjen e krizës në Parlament. Duke folur nga Berati, Presidenti i Republikës deklaroi se “e rëndësishme është që kemi një riinstalim të dialogut politik, pavarësisht nga problematika. Unë mendoj që demokracia në Shqipëri i ka të gjitha shanset që të bëjë progres, pavarësisht se ndonjëherë gjërat duket sikur nuk kanë rrugëdalje. Gjithmonë politika ka mundësi që mbi bazën e dialogut, të një predispozicioni për të arritur një zgjidhje në funksion të Shqipërisë dhe mbarë shoqërisë, do të dijë të gjejë edhe rrugët e bashkëpunimit. Duket sikur janë retorika politike kur themi në funksion të reformave të rëndësishme, por është realisht kështu. Duhet që njerëzit të bashkëpunojnë, sepse vërtet na presin reforma të rëndësishme, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë me konsekuencë rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky do të jetë mesazhi më i rëndësishëm, dominanti i jetës së politikës dhe i institucioneve të Shqipërisë, duhet të jetë konsolidimi i rrugës së nisur për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”. Dy ditë më parë, në intervistën televizive, kreu i shteti deklaroi se mosarritja e kompromisit do të jetë një ditë e zymtë për Shqipërinë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›