Apeli i PE: Nëse nuk zgjidhni krizën, bëhuni gati për kostot
Europarlamentarët europianë reaguan dje për krizën politike në Shqipëri. Në një prononcim publik, të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, zv.kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, Victor Bostinaru, theksoi se “mesazhi im si zëvendës kryetar i delegacionit për Europën Juglindore është i qartë si kristali: Qeveria duhet të gjejë zgjidhje. Qeveria dhe Kryeministri duhet të jenë në Kuvend për të realizuar më në fund, për të negociuar për zgjidhje politike për të zgjidhur krizën ekzistuese politike”. Unë besoj, vijoi ai, se Zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e Parlamentit, por gjithashtu për të mirën e vendit. “Nëse jo zoti Berisha duhet të jetë përgatitur për kostot”, theksoi ai ndërsa tha se nuk duhet të gjykojmë paraprakisht. “Zoti Berisha dhe partia e tij vazhdimisht në mënyrë të përsëritur i kanë premtuar Europës se ata do të gjejnë zgjidhje, se do të punojnë së bashku me
Partinë Socialiste për një zgjidhje politike dhe tani është koha e duhur për ta bërë këtë. Nëse nesër mazhoranca do të vendosë të refuzojë propozimet e Partisë Socialiste kjo do t’i kushtojë. Dua të jem i qartë: do të jetë me kosto, pasi Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik”, u shpreh Bostinaru. Sakaq, raportuesja për Shqipërinë në PE sa i takon çështjes së vizave, Tanja Fajon, u shpreh se “do të doja të theksoja rëndësinë e një dialogu bashkëpunues transparent dhe të përgjegjshëm mes palëve. Tani që Shqipëria është në fazën finale të liberalizimit të vizave bëhet edhe më e rëndësishme të tregohet gatishmëri për të punuar së bashku për më të mirën për popullin dhe për vendin”. Në mënyrë, tha ajo, që të vazhdohet në rrugën drejt integrimit europian Shqipëria duhet të jetë efikase dhe konkrete kur vjen puna tek integriteti, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. “Unë shpresoj sinqerisht se Parlamenti shqiptar do ta ketë parasysh se kjo është po ashtu koha për të provuar pjekurinë politike dhe se në mënyrë të bashkuar do të arrijë një zgjidhje pozitive dhe konstruktive”, tha Fajon. Ajo këmbënguli se Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave dhe duke pasur parasysh fuqizimin e procesit të integrimit europian të vendit. “Hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë si themeli i përmirësimeve të rëndësishme në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës”, theksoi Fajon.