Dule: Transparencë për çdo fletë votimi
Kryetari i Partisë Bashkimit të të Drejtave të Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, u shpreh “pro” ngritjes së komisionit parlamentar me objekt hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 28 qershor 2009. Sipas Vangjel Dules, debati i hapjes së kutive është i kotë, pasi kjo dilemë e ka marrë përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese qysh në vitin 2003. “Në vendin tonë në Shqipëri ka qenë dhe mbetet vazhdimisht problem fakti që detyrimet kushtetuese janë shndërruar në qëndrime politike dhe partiake. Debati i hapjes së kutive është pa objekt, pasi përgjigjja që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2003 nuk mund të pengojë komisionet hetimore të kryejnë hetime dhe verifikime deri në fletën e fundit të votimit dhe procesverbaleve të qendrave të votimit. Ne kërkojmë akses për çdo fletë votimi dhe çdo politikan i përgjegjshëm duhej që qysh në 29 qershor të vitit të kaluar të ishte i hapur për alfën dhe omegën e demokracisë, transparencën”, theksoi Dule.
#