Fullanët, mysafirë tek Vila e Metës në Gji të Lalzit
Ish zëvendëskryeministri Ilir Meta ka pasur javën që shkoi mysafirë çiftin Fullani tek vila e tij në Gjirin e Lalzit. Disa dëshmitarë, fqinjë me zotin Meta, konfirmojnë se çifti Fullani shkoi për vizitë në mbrëmje tek zoti Meta dhe kanë qëndruar aty deri vonë.
Vizita e çiftit Fullani tek vila private e Metës në Gjirin e Lalzit, shton dyshimet për rolin e gjyqtares Fullani si pjesë e trupit gjykues të Ilir Metës dhe shpërblimin që Fullanët kërkojnë nga ky gjest për rizgjedhjen e Guvernatorit.
Gjyqi ndaj Ilir Metës pritet të vijojë të premten, pasi javën që shkoi relatori i çështjes ishte jashtë shtetit. Burime nga Gjykata e Lartë bëjnë të ditur se Fullani është aktivizuar shumë ditët e fundit për të këmbëngulur që gjykata të vendosë për të thirrur ekspertizë të re për videon e Ilir Metës nga Ministria e Brendshme.
Nëse kjo ndodh, atëherë çështja jo vetëm që degradon, por do të jetë nga rastet e pakta kur Gjykata e Lartë do të kërkojë një ekspertizë nga pushteti për ish zëvendëskryeministrin, çka është një konflikt i pastër interesi.
Mbetet të shikohen zhvillimet ditët e premte, por duket se vizita e Fullanëve në Lalëz dhe kërkesa për tu konsideruar një ekspertizë e re nga Ministria e Brendshme për të shpëtuar Metën janë prioritet i këtyre ditëve.
Kryeministri Berisha, i cili duket se po shkonte drejt emrit të Ridvan Bodes për guvernator, e la të hapur lojën në daljen e tij publike, mes duket për ti lënë shanse Fullanit të reflektojë ndaj gjyqit të Metës.