E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Mafia e pronës të kërkon kontratën e parablerjes për të regjistruar tokën, ose të merr kokën

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, në seancën e Kuvendit ka folur për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Duke iu referuar çështjes së pronave, që ka dalë si pistë e parë në media e në opinion publik, Xhafaj tha se mafia e tokës vepron kështu, të kërkon kontratën e parablerjes për të bërë regjistrimin, ose të merr kokën.

Fillimisht Xhafa tha se vrasësit kishin mundësi ta ekzekutonin Konomin në shtëpi, por e bënë atë publikisht.

Të premten ka ndodhur një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë. Një njeri, një gjyqtar, një punonjës i ligjit, një qytetar në moshë të re u hodh në erë dhe humbi jetën. Me një krim që ishte ndërtuar të ishte si një mesazh kriminal për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ky ishte një krim jashtëzakonisht i rëndë që pavarësisht motivit, është një shpërthim që tronditi dhe vrau shumëkënd tjetër, gjithkënd që e di se në Vlorë ishte dora që ndezi shpërthimin, por që mina ishte kurdisur diku tjetër.

Çfarë ndodhi në atë të premte të zezë ishte një atentat mafioz në qëllim, në mënyrën e organizimit dhe në ekzekutimin e tij. U godit drejtësia, u synua t´i jepet një leksion ogurzi gjithë atyre që guxojnë të cënojnë interesat e mafies. Mund të kishte ndodhur ky krim edhe në errësirën e rrugicës apo të shtëpisë së magjistratit Konomi. Kur ai hynte dhe dilte prej saj. Të paktën dy herë banditët kishin qenë në oborrin e shtëpisë së tij, por ata nuk e kryen aty krimin. Pritën të zbardhte dita, të dilte dielli, pritën që ai të dilte në bulevardin kryesor të qytetit për të realizuar goditjen fatale, për të treguar se ata nuk kanë frikë dhe se gjithkush duhet t´i ketë ata frikë! tha Xhafaj.

Nuk dua të politizoj ngjarjen tragjike. Por politika është kudo dhe mbështjell çdo gjë në Shqipëri. Ajo është bërë rrënja e helmuar nga e cila në jo pak aspekte të jetës e realitetit shqiptar po korren në vijimësi vetëm fruta të helmuara. Nuk marr përsipër as të them se në çfarë konkluzionesh ka dalë tashmë opinioni i një qyteti të tërë të traumatizuar për autorët e mundshëm dhe arsyet e mundshme të këtij akti barbar. Zbulimi i autorëve dhe frymëzuesve të tyre, vënia përpara drejtësisë dhe ndëshkimi i ligjit, kësaj here nuk vlejnë vetëm për të vënë drejtësinë në vend, për të dhënë pak ngushëllim për familjarët dhe qytetarët e këtij vendi, por edhe për të dëshmuar se shteti është më i fortë se krimi dhe se ky shtet kërkon ta luftojë realisht krimin dhe se segmente të tij, nuk janë realisht pjesë e vetë krimit.  Shpresoj të ndodhë më e mira, por çfarë ka ndodhur deri më dje, nuk jep shpresë për më mirë. Ngjarja tragjike e të premtes është vetëm një hallkë në një zinxhir të gjatë krimesh të tjera të pazbardhur që dëshmojnë të kundërtën. Ngjarja e së premtes është në vazhdën e një sërë ngjarjesh së mëparshme që kanë vepruar mbi njerëzit e drejtësisë janë një dëshmi e hidhur sesa poshtë ka rënë autoriteti i drejtësisë, vijoi më tej deputeti socialist.

Më pas ai komentoi pistën e vrasjes për shkak të çështjeve të pronësisë.

Në këtë rast, media, por dhe shumë njerëz të thjeshtë e jo vetëm në Vlorë konsiderojnë ai autorë të mundshëm mafian e tokave, edhe pse i mbetet drejtësisë që t´i verë përfundimisht emrin autorëve dhe frymëzuesve të tragjedisë. Nuk jam aspak i befasuar nga ky perceptim e gjykim dominues. Gjithkush e di sesi vepron dhe sesi gjallon mafia e tokave. Mafia që të kërkon kontratën e parablerjes para dhe si kusht që të bëj regjistrimin, mafia që po nuk i hape rrugë duhet ti nënshtrohesh dilemës: O tokën, O kokën. Sepse kjo është mafia që mund të ekzistojë vetëm si një simbiozë kriminale me vetë segmente të pushtetit. Sepse pushteti ka hipotekat, ka komisionet e kthimit të pronave, gjyqtarët e korruptuar e të promovuar përmes korrupsionit. Sepse vërtet pronat ndodhen në bregdet, në Vlorë, në Kavajë, në Gjirin e Lalëzit e gjetkë, por fijet e tyre tërhiqen ekskluzivisht në Tiranë. Në Tiranë qëndron kumbari dhe klani i tij, të tjerët në rrethe janë vetëm sejmenët.

Pushteti i krimit e ka kuptuar qartë interesin e pushtetit politik dhe ka krijuar simbiozë me të, aq sa është e vështirë të kuptohet se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri. Ky pushtet që kujdeset më shumë se si gjyqtarët t´ju garantojnë pushtetin përmes votës së vjedhur, që kujdeset që prokurorët të mbyllin dosjet e nxehta me procedurë, që ka nën shërbim drejtues policie që zhdukin gjurmët e krimit dhe mbajnë në këmbë një institucion frike dhe represioni, i ka lënë të gjitha dyert hapur për krimin. Si bashkëpunëtor i tij, si bashkëfajtor njëlloj si ai. Refuzoj të bëj çdo lloj spekulimi me këtë krim jashtëzakonisht të rëndë duke respektuar e inkurajuar hetimin e tij nga organet përgjegjëse, por kushdo e di që krime të kësaj natyre, ose zbardhen shpejt, ose mbeten përgjithmonë në errësirë. Nëse ndodh rasti i dytë, atëherë kjo do të jetë një provë më shumë që ndonëse krimi nuk ka qenë i përsosur, biles ka dhe prova e dëshmitarë, njerëz me pushtet okult, mund të jenë ata që kanë urdhëruar krimin dhe që janë në gjendje të bllokojnë apo sabotojnë hetimin. Nëse do të ndodhë rasti fatkeq, atëherë edhe ky atentat do të ketë fatin e hetimeve për vrasjen e deputetit Xhindi apo të komunarit Veseli. Kjo do të thoshte se ka rënë përfundimisht shteti dhe është konsoliduar autoriteti i pushtetit dhe krimit të lidhur me të, tha Xhafaj.

Ai nuk la pa përmendur edhe mungesën e kryeministrit e presidentit në ceremoninë mortore të Konomit. Por të paktën presidenti shkoi më pas në shtëpinë e të ndjerit, kurse kryeministri u mjaftua me një buqetë me lule.

Të shtunën në Vlorë, pranë trupit të copëtuar të magjistratit Konomi mungonte kryeministri i vendit, njeriu i qokave pa shkak. Ndodhej kilometra të tëra larg nga ajo ceremoni mortore duke ju gëzuar një medaljeje që i varën në qafë, njëlloj si ato dhjetëra medalje që i jep çdo ditë vetes për disa arritje që i sajon vetë dhe i gëzon po vetë mbi mure, buzë detit apo në majë mali. Kryeministri buzëqeshte i lumtur duke jetuar jashtë kohës dhe realitetit duke treguar se zia në shpirt e një populli të tërë, duke treguar se fataliteti që troket për çdo qytetar është i huaj për atë vetë.

Edhe kreu i shtetit nuk u ndodh në atë ceremoni mortore që ishte më shumë se aq, ishte një ceremoni mesazh përball krimit e kriminelëve që synonin gjunjëzimin e shtetit. Është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por një nga aktorët më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Si i tillë, magjistrati i ndjerë Konomi e meritonte një grusht dhe edhe nga dora presidenciale. Kësaj here, kreu i shtetit foli jo me heshtje siç bën zakonisht, por foli me mospraninë e tij, tha Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›