E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, estradë me TVSH-në e fermerit

Ard Kola

Ende pa hyrë në fuqi vendimi i heqjes së taksës, Bode e anulon. Skema e re, debate në Kuvend

Luhatjet: Në dhjetor, ministri i Financave votoi kundër propozimit të PS-së për heqjen e TVSH-së për lëndët e para në bujqësi, kurse në shkurt e risolli për miratim në Kuvend, por dy muaj më pas e anulon

berisha bodeFushata me premtimet elektorale sa shpejt ka nisur, aq edhe me nxitim merren vendimet për qëllime votash sa i takon paketës fiskale. Pothuajse nga muaji nëntor 2012, kur Ministria e Financave nisi të sillte në qeveri vendime për ato ulje taksash të propozuara në programin e Partisë Socialiste, ndryshimet në sistemin fiskal kanë shkaktuar kaos në menaxhimin e sistemit. Ato erdhën si propozime të pastudiuar mirë, pa efekte financiare dhe me shumë mangësi, duke konfirmuar krizën e profesionalizimit në ministrinë e Ridvan Bode.

Situata u bë më qesharake kur Ministria e Financave solli në muajin shkurt 2013 vendimin për heqjen e TVSH-së për lëndët e para në bujqësi, propozim të cilin vetë Bode e kishte votuar kundër në dhjetor 2012, kur u paraqit si ide nga opozita.

Ende pa hyrë në fuqi vendimi, tashmë ministri i Financave e anulon, duke risjellë në Kuvend një tjetër skemë, atë të rimbursimit, që në thelb ekzistonte, por u hoq për shkak të burokracive që shkaktonin kosto për fermerin.

Sipas draftit, të diskutuar dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, fermerët nuk do të përfitojnë nga heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për lëndët e para. Një muaj pas miratimit në Parlament dhe ende pa hyrë në fuqi, qeveria në mënyrë të papritur e ka anuluar ligjin, duke prezantuar një skemë të re.

Gjatë një periudhe të caktuara kohe që do të përcaktohet në VKM, që mund të jetë tre muaj, katër muaj, një muaj, të gjithë fermerët, të cilët kanë bërë blerje të lëndëve të para, plehra kimikë, farëra etj., i kanë blerë te subjektet të regjistruara me TVSH. Kundrejt këtyre blerjeve ata kanë marrë faturat e nënshkruara me TVSH nga të tilla subjekte. Fermeri do të marrë faturat, do të kalojë tek agjencitë që janë aktualisht pranë drejtorive rajonale në bashki dhe aty do të bëjë kërkesën e tij për kompensim të TVSH-së”, tha Arjana Dyrmishi, drejtore e politikave fiskale në Ministrinë e Financave.

Për opozitën, skema e re që bazohet te rimbursimi me para në dorë i fermerëve, është një mashtrim elektoral i pazbatueshëm në terren.

E gjithë formula është e parealizueshme dhe abuzive. Nëse ju nuk keni mundësi të kontrolloni dot importuesit e inputeve bujqësore, sesi mund ta shkarkojnë çmimin e tyre sot nga TVSH-ja që nuk do të paguajnë, ky është problem juaj. Por që t’u thuash fshatarëve sot, meqenëse unë nuk e kam dot këtë kontroll do të ndërmarr një veprim që nuk e kam aspak kontrollin, kjo është akoma më e turpshme, tha deputeti socialist, Ilir Bejtja.

Është shumë më e thjeshtë, mendoj unë, dhe ka për të qenë mjaft më efektive, sepse direkt përfitimi do të shkojë të fermeri. E them këtë, se ne praktikisht e aplikojmë një skemë të tillë. Kemi subvencionet për pemëtarinë, për vreshtarinë, për ullinjtë, të cilat ia japim fermerit me një mekanizëm të tillë. Nuk ka përse të ketë dyshim që do të funksionojë apo jo, sepse ajo funksionon, tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave, ngriti një tjetër shqetësim. Atë se ndryshimet e shpeshta në ligjet tatimore po çorodisin biznesin duke frenuar investimet.

Unë ju garantoj që edhe nga kontaktet që kam me biznesin të gjithë pyesin: Do të hyjë kjo politikë e re në fuqi apo jo? Do të hyjë këtë muaj, apo muajin tjetër? Ta bëjmë këtë investim tani apo të presim? Kështu që, përveç keqpërdorimit të politikave fiskale në këtë ambient elektoral është dëmi i madh që i bëni biznesit. Prandaj, paketat fiskale nuk janë kurrë spontane. Nuk vijnë as nga takimet që bëhen në popull dhe as në mënyrë spontane se çfarë premton Kryeministri apo një ministër, tha Malaj.

Heqja e TVSH-së për lëndët e para në bujqësi u trumbetua fort nga qeveria dhe vetë Kryeministri në takimet elektorale me fermerët, si një masë që do të nxiste ekonominë dhe prodhimin. Efekti në buxhet për heqjen e TVSH-së në bujqësi, përfshi edhe në skemën e importit të makinerive dhe pajisjeve, u vlerësuan në masën e rreth 150 milionë eurove.

Biznesi na pyet se kur do të hyjnë në fuqi këto ndryshimet e shpeshta ligjore, tha Malaj

Qeveria, estradë me TVSH-në e fermerit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›