E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kredia në rënie, nuk funksionojnë titujt e pronësisë

Paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, ndikojnë drejtpërsëdrejti në kreditim. Sipas Fullanit sistemi financiar është i ndikuar nga roli i pavarur i gjykatës 

TIRANE - Paralizimi i titullit të pronësisë, tejzgjatja e konflikteve gjyqësore të pronësisë, mosekzekutimi i kolateralit, ndikojnë drejtpërsëdrejti në kreditim. Ky është shqetësimi i ngritur nga drejtori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në takimin e diskutimit “Tregu bankar dhe sistemi ligjor”, të mbajtur ditën e djeshme në Tiranë.

“Problematika, ende e pazgjidhur ligjore, ka ndikuar drejtpërdrejt në shkurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare. Sistemi bankar, për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga marrëdhënia kontraktuale e akordimit të kredisë” – tha Fullani.

Sipas Fullanit sistemi financiar është i ndikuar nga roli i pavarur i gjykatës, perceptimi i tij, efikasiteti i gjykimit dhe zbatimi i vendimit të gjykatës.

“Ekziston një rrezik, i cili lidhet me llojin e monedhës; një i dytë lidhet me ecurinë e çmimeve të kolateralit; një i tretë mund të jetë edhe i ashtuquajturi rrezik operacional, e kështu me rradhë. Materializimi i njërit apo disave prej këtyre rreziqeve, do të sillte vështirësi për bankën” – vazhdoi Fullani.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë me autoritetin e saj mbikëqyrës e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë për çdo një lek kredi të kërcënuar. E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, ka të bëjë me një lloj pamundësie de facto të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme.

(O.Zh BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›