E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, bashkëpunim ndaj krimit të organizuar

Mesazhi është dhënë nga ministri i Drejtësisë, Alibeaj dhe Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Grasso, gjatë një takimi zyrtar në Tiranë. Midis tyre u diskutua edhe çështja e bashkëpunimit për zbatimin e vendimeve penale të Gjykatave. 

TIRANE- Shqipëria dhe Italia do të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar.
Mesazhi është dhënë nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Pietro Grasso, gjatë një takimi zyrtar paraditen e së martës në Tiranë.
Në takim u diskutua edhe për çështjen e bashkëpunimit lidhur me zbatimin e vendimeve penale të Gjykatave. Në këtë drejtim ministri Alibeaj deklaroi se "nënshkrimi i Marrëveshjes së Përbashkët me Italinë për ekzekutimin e vendimeve penale, është një arritje e madhe mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar".
“Një numër i madh vendimesh janë ekzekutuar dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të krijuar kështu edhe një dekurajim të krimit”, siguroi ai.
Nga ana e tij, Prokurori Kombëtar i Antimafias, Peitro Grasso, u shpreh optimist për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.
"Pa këtë bashkëpunim nuk mund të kemi asnjë shpresë për të luftuar krimet që nisin në një shtet dhe përfundojnë në një tjetër. Eshtë shumë e rëndësishme që vendimet gjyqësore të mos mbeten në letër, por të zbatohen, kjo sepse personat e dënuar rikthehen në vendet e tyre, duke vazhduar me aktivitetet e tyre kriminale". – u shpreh kreu i Antimafies italjane në këtë takim në Tiranë. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›