E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Kriza e ekonomisë greke do ndikojë në Shqipëri



Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaron se kriza ekonomike e Greqisë do ndikojë edhe vendin tonë.
"Situata e brishtë e ekonomisë greke po studiohet nga BSH. Mendoj se plani 3-vjeçar fiskal për një korrektim ambicioz të ekonomisë greke dhe ulja e defiçitit me 3% është ogur i mirë për ekonomitë e eurozonës. Tkurrja fiskale do ketë pasojë në ekonominë greke, e për rrjedhim ekonomia shqiptare do ndikohet, veçanërisht në tregtinë e jashtme, në remitanca dhe në bankat greke në Shqipëri", shpjegoi ai. Fullani tha se bankat greke mbikqyren nga BSH dhe garantojnë mbarëvajtjen e tyre në sistemin bankar shqiptar.
Fullani bëri apel për marrjen e masave për të garantuar qendrueshmërinë e borxhit publik. Ai tha se defiçiti buxhetor ka arritur në 79.9 miliardë lekë ndërkohë që shpenzimet buxhetore kanë shënuar një rritje prej 8%. "Politika fiskale duhet të marrë masa për të garantuar qendrueshmërinë e borxhit publik.
Rritja e borxhit e bën të domosdoshëm një angazhim të besueshëm të politikës fiskale ndaj qendrushmërisë së saj afatgjatë", theksoi ai.

Në një konferencë për shtyp, Fullani ka deklaruar se ka ngadalësim të kërkesës së brendshme gjatë 3-mujorit të katër të 2009-ës. Sipas tij, investimet private janë ngadalësuar.
Ai tha se importet e mallrave të konsumit sinjalizojnë për një ngadalësim të mëtejshëm të konsumit privat.
Fullani theksoi se inflacioni në janar ishte 3.6% ndërsa norma mesatare vjetore e infacionit u rrit në 2.4 % . Ai sqaroi se rritja e fundit e energjisë do ndikojë në inflacion. "Rritja e fundit e energjisë do ndikojë në inflacion. Në infacionin e muajit shkurt do japë një ndikim prej 0.05%", argumentoi Fullani. Ai tha se norma bazë e interesit do mbetet e pandryshuar në masën, 5.25%.

Guvernatori i BSH-së theksoi se publiku është i pasigurt për të ardhmen. Por ai nënvizoi se po jepen shenja inkurajuese për ekonominë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›