Fullani: Kriza greke nuk i prek bankat te ne
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, njoftoi dje ndërprerjen e politikës favorizuese ndaj bankave të nivelit të dytë që u zbatua për 14 muaj, ndërsa deklaroi se kriza që ka mbërthyer Greqinë nuk do të ketë pasoja në stabilitetin e bankave shqiptare, përfshirë edhe bankat nën pronësi greke.
“E rëndësishme është se sistemi bankar shqiptar është i veçantë, bankat greke janë të kontrolluara nga Banka e Shqipërisë. Niveli aktual i këtyre bankave dhe treguesve të eurozonës është më i mirë se niveli i standardit europian dhe i treguesve e normave të tjera. Bankat shqiptare karakterizohen me nivel normal dhe me nivel të kënaqshëm theksoj sidomos te depozitat”, tha Fullani duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për situatën alarmante të krijuar te fqinji ynë jugor. Në Shqipëri veprojnë katër banka të krijuara nga investitorët grekë, të cilat janë përgjegjëse për 25 për qind të aseteve të sistemit bankar dhe 38 për qind të kredive të dhëna në Shqipëri. Megjithatë, këto banka funksionojnë si subjekte të veçanta dhe i nënshtrohen legjislacionit shqiptar. Për këtë arsye, shumë ekspertë besojnë se kriza e borxhit publik që ka mbërthyer Greqinë, nuk i prek bankat greke që veprojnë në Shqipëri.
Fund stimulitBSH njoftoi dje për herë të parë se mekanizmat e posaçëm të vendosur në dispozicion të bankave gjatë krizës që shpërtheu në fund të vitit 2008, u hoqën nga zbatimi në janar të këtij viti.
“Me përmirësimin e situatës së likuiditetit të sistemit bankar dhe normalizimit të primeve të rrezikut, në janar të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi të riaplikojë ankandet e marrëveshjes së riblerjes në formën standarde të tyre: operacione injektuese njëjavore me normë interesi konkurruese. Kryerja e këtyre ankandeve me interes fiks dhe shumë të pakufizuar që në nëntor të vitit 2008 deri në dhjetor të vitit të kaluar ishte një nga masat e marra nga Banka e Shqipërisë në kushtet e një situate të shtrënguar të likuiditetit dhe primeve në rritje të rrezikut dhe pasigurisë së shtuar në atë periudhë. Rikthimi në formën standarde të ankandeve të instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë shënon edhe fillimin e tërheqjes së këtyre masave në përgjigje të normalizimit të situatës në tregjet financiare në vend”, thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës të lëshuar dje.
Bankat tërhoqën deri në 38 miliardë lekë borxhe nga BSH gjatë vitit të kaluar me norma interesi shumë të leverdishme për to. Këto para frynë ofertën monetare në vend dhe qenë një nga faktorët që sollën zhvlerësimin e monedhës kombëtare lekut. Me tërheqjen e stimulit monetar, mendohet se kursi i këmbimit të lekut së paku do të stabilizohet.
BSH vlerëson se ekonomia shqiptare ka ecur ngadalë gjatë muajve të fundit, duke theksuar rënie të ndjeshme të konsumit privat. Banka komentoi të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave, ku u raportua për rënie të prodhimit të brendshëm bruto me 0.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2009.
“Kjo ecuri është përcaktuar nga tkurrja e investimeve private dhe publike, si dhe ngadalësimi i ndjeshëm i konsumit privat. Ritmet e ulëta të rritjes së pagave dhe punësimit, rënia e remitancave, tkurrja e kredisë konsumatore, si dhe evidenca për një orientim më të madh të konsumatorëve drejt kursimit, vlerësohet se kanë diktuar një ecuri të ngadaltë të konsumit në tremujorin e fundit të vitit të kaluar”, thotë BSH, pa dhënë vlerësime për ecurinë e ekonomisë në pjesën e mbetur të vitit.
Investimet private vlerësohen të jenë tkurrur gjatë këtij tremujori, në kushtet e ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe të niveleve të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve. Gjithashtu, pakësimi i stimulit fiskal gjatë muajve të fundit të vitit 2009 është reflektuar në një kontribut më të ulët të investimeve publike në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të fundit. Sikurse tregohet nga ecuria e treguesve fiskalë, monetarë dhe nga pritjet e biznesit e të konsumatorit, ecuria e ekonomisë vendase vlerësohet e ngadaltë edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.