E Diel, 1 Nëntor 2026

Reja e zezë

Ka filluar nga Hungaria dhe është shtrirë në Austri, Holandë e sipas parashikimeve do të prekë edhe një pjesë të Mbretërisë së Bashkuar. Vazhdon të rritet popullariteti i partive ksenofobe, neonaziste dhe antisemite. Ja liderët dhe strategjitë e tyre

Ksenofobë, neonazistë, fashistë, antisemitë, nacionalistë. Kohët e fundit, një re e zezë po mbulon Europën dhe ka të ngjarë që të ngjyrosë edhe zgjedhjet e kësaj pranvere në kontinent. Ka filluar nga Hungaria dhe është shtrirë në Austri, Holandë e sipas parashikimeve do të prekë edhe një pjesë të Mbretërisë së Bashkuar. është nxitur nga liderë, të cilët nuk kanë turp të përdorin slogane dhe programe të patregueshme. Nuk janë ende në mazhorancë, por kanë arritur përqindjet me dy shifra, madje edhe mbi 20%. Përveç kësaj ato janë në gjendje të kushtëzojnë edhe qeveritë, pa llogaritur faktin që kanë shtyrë të djathtat e moderuara të bëhen më radikale për të mos humbur bazën e konsensusit.

Barbara Rosenkranz është emblema e valës që po avancon. E sapokandiduar për zgjedhjet presidenciale austriake më 25 prill nga Partia e Lirisë (FPO), ajo ka propozuar menjëherë shfuqizimin e ligjit që ndalon apologjinë dhe rivendosjen e nazizmit. Polemikat e shumta që kanë vijuar më pas e kanë detyruar atë t'i tërheqë fjalët e thëna dhe të pohojë se të gjithëve u duhet garantuar e drejta e fjalës. E detyruar të firmosë publikisht një deklaratë mohuese për ideologjinë e nacionalizmit dhe krimet e saj, Barbara nuk i ka fshehur kurrë bindjet e saj radikale lidhur me çështjen në fjalë. Si ekstremiste, ka dyshime për praninë e dhomave të gazit në kampet e përqendrimit.

Barbara është 51 vjeçe, para se t'i futej seriozisht politikës, i dha kombit dhjetë fëmijë (gjashtë vajza e katër djem) dhe i pagëzoi me emrat: Edda, Hildrum, Wolf dhe Sonnhilda, me justifikimin: "Jo të gjithë mund të quhen Kevin". Bashkëshorti i saj, Horst Jakob, ka qenë plotësisht dakord me të. Për çiftin, politika është një element i bashkimit. Ai ka qenë militant me shumë parti neonaziste dhe sot është redaktor i revistës së të djathtës ekstreme "Fakten". Ndërkohë, Barbara i ka hedhur të gjitha bindjet e saj në një libër "MenschInnen", ku të gjithë inatin e ka me gratë në karrierë, kundërshton abortin dhe çdo lloj forme mirënjohje për çiftet homoseksuale. Gjithmonë është e para nëpër protesta. Ajo thotë se ndihet e shqetësuar për Vjenën e saj, sepse është shndërruar në një Ankara të vogël e mbushur me minare dhe xhami. Gjithashtu Rosenkranz është antieuropiane, për shkak të burokracisë së BE-së. Komuniteti hebraik vjenez e ka cilësuar "Kellernazi", naziste ‘e çmendur’. Arkipeshkvi i kryeqytetit, Christoph Schonborn, i ka cilësuar si rite pagane ceremonitë që Barbara kremton çdo vit ardhjen e verës.

Mijëra vjenezë kanë reaguar ndaj kandidaturës së Barbaras, duke ndezur shumë qirinj kundër saj. Por, pavarësisht kësaj, partia ka investuar miliona euro për fushatën elektorale dhe sondazhet tregojnë se është mjaft e pëlqyer.

Një personazh tjetër është edhe Nick Griffin, 51 vjeç, i diplomuar në Kembrixh, lider i partisë fashiste British National Party, kandidati i katërt për zgjedhjet angleze të 6 majit. Sistemi njëemëror do ta ndalojë futjen e tij në Parlament, megjithatë ai po përpiqet të mbledhë sa më shumë vota me çështjen e emigracionit. E njëjta gjë po i ndodh edhe me 46-vjeçarin Geert Wilders, burri që lejoi shfryrjen publike të ksenofobisë së fshehtë të holandezëve. I pagëzuar me nofkën “Mozart”, për shkak të flokëve të tij të mëndafshtë dhe me ngjyrë të verdhë, Wilders i ka shprehur hapur bindjet e tij kundër islamit përmes një filmi me metrazh të shkurtër që titullohej “Fitna”, gjë që e bëri të merrte një dënim me vdekje nga Al-Kaeda, në Jordani u cilësua si diçka me vend, ndërkohë që u përjashtua nga Mbretëria e Bashkuar dhe qyteti gjerman Monschau, ku ishte me pushime. Që prej vitit 2004 jeton me rojë, kur autoritetet holandeze ndaluan dy terroristë, të cilët po përgatisnin një atentat kundër tij. Asnjëherë nuk fle dy net në të njëjtin shtrat, madje edhe gruan, një ish diplomate hungaro-holandeze, e takon një herë në javë. Një reper vendas i ka kushtuar këngën “Wie iz de Volgende” (Kush është tjetri).

Wilders ka pohuar për televizionin danez se do të dëshironte një internim në masë të islamikëve; e konsideron Kuranin një libër fashist dhe Muhametin djalli. Emigrantët janë “Kali i Trojës së islamit në Europë” dhe për këtë arsye qytetërimi i kësaj të fundit rrezikon të zhduket. Mendohet se i gjithë ky mllef i detyrohet një agresioni të ndodhur në Utresht në fund të viteve ’90, në një lagje të populluar nga të huajt. Një antropologe që ka studiuar pemën e tij gjenetike, thotë se paraardhësit e tij kanë qenë myslimanë. Nga këtu mund të shpjegohet arsyeja e ekstremizmit të tij: ai dëshiron ta fshijë të kaluarën dhe rrënjët. Partia për Lirinë (PVV) është një fondacion, ku ai është i vetmi anëtar. Partia financohet nga donacionet e organizatave të së djathtës ekstreme amerikane dhe izraelite. Në listën për zgjedhjet parlamentare të 9 qershorit (mund të arrijë në 20 për qind, pas triumfit në zgjedhjet administrative të marsit në Almere), figuron edhe zëdhënësi i Likud në Holandë. Pasioni për Izraelin lindi pas një provimi të pjekurisë gjatë një udhëtimi, i cili ishte parashikuar vetëm disa ditë, por në fakt u transformua në një qëndrim dyvjeçar. Që prej asaj kohe është kthyer në shtetin hebraik 40 herë dhe i pëlqen të përsërisë fjalët: “Izraeli është i pari në frontin tonë lindor”.

Për të treguar se sa të lidhura janë çështjet në të djathtën ekstreme, mjafton të thekson distancën mes Wilders dhe fashistëve të “Jobbik” (Lëvizja për një Hungari më të Mirë), që në ngjarjet e fundit politike kanë shënuar një ngritje të konsiderueshme prej 16.7 për qind. Nëse lideri më i njohur është Gabor Vona, 31 vjeç, themeluesi i “Magyar Garda”, struktura paraushtarake e deklaruar e paligjshme, por që vazhdon të shfaqet nëpër rrugët e Budapestit dhe të terrorizojë pakicat rome, pasionantja e organizatës është avokatja europarlamentare Krisztina Morvai, 46 vjeçe, me një bursë studimi në kolegjin britanik “King’s College”, të cilin ia ka dhënë personalisht Margaret Thatcher. Avokatja ka punuar gjithashtu si mësuese në të shkuarën në Universitetin Wisconsin. Ajo është ngritur kundër prostitucionit dhe në favor të të drejtave të sëmurëve me SIDA. Gjithashtu Morvai është kundër Izraelit, sepse “nuk i respekton të drejtat e njeriut në territoret palestineze”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›