Një festival për Beratin
Seria e aktiviteteve të propozuara këtë vit nga Ambasada Italiane në Tiranë nën moton “Shqipëri-Itali 2010”, zhvendoset në qytetin e Beratit. Prej së hënës ka nisur edicioni i parë i “Berat Festival 2010”, që e ka pasur së pari prezantimin në qytetin ku do të zhvillohet. Në konferencën e parë, mbajtur në bibliotekën “Vexhi Buharaja” të Beratit, është bërë prezantimi i 10 konkurseve dhe katër aktiviteteve që do të ndodhin nga data 1 deri në 9 maj. Ndërkohë dje, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me praninë e përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe shoqatave mbështetëse, është bërë një tjetër prezantim i këtij aktiviteti. “Berat Festival 2010” nuk është një festival i mbështetur mirëfilli në veprimtari kulturore. Programi lajmëron se ky aktivitet shtrihet dhe aktivizon të gjitha aspektet e jetës së përditshme. Vetë nëntitulli, “Shije, ngjyra, tinguj, shpresë, pasion... dashuri”, lajmëron një tjetër natyrë të këtij festivali që do të shënojë edicionin e parë. Sipas organizatorëve, kjo nismë ka si qëllim përmirësimin në Europë dhe në botë, të imazhit dhe potencialiteteve që zotëron “qyteti i një mbi një dritareve” për zhvillimin e turizmit kulturor. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, zv.ministrja Suzana Turku theksoi se bashkëpunimi mes dy popujve është shumë i hershëm dhe pikëtakimet e shumta historike dhe artistike të dy popujve tanë përbëjnë një gur themeli të fortë për të intensifikuar dhe çuar më tej bashkëpunimet në fushën e kulturës. “Qyteti i Beratit, qyteti i kulturës dhe i vlerave të shkëlqyera të trashëgimisë kulturore kombëtare, ku ndërthuren vlera të pamohueshme të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe të turizmit, e meriton plotësisht t’i dedikohet një veprimtari e përvitshme e përmasave të këtij lloji, veprimtari e cila është një element më shumë, që do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit dhe zonave turistike rreth tij dhe shndërrimit të tij në një pikë të rëndësishme të zhvillimit të turizmit kulturor”, u shpreh Turku. Ndërsa përfaqësues të pushtetit lokal e quajtën këtë aktivitet si një mundësi për të rivitalizuar jetën në këtë qytet, tashmë trashëgimi botërore e UNESCO-s. Një konkurs i hapur pikture, konkurs krijimi për shkollat e mesme të qytetit, konkurs për gurgdhendësit, për restorantin më të mirë, një aktivitet i shkollës pranverore të Rafting në lumin Osum, garë peshkimi në urën e Beratit, qitësi më i mirë, konkurs balone, por edhe aktivitete me një angazhim më të madh si konferenca “Cila është e ardhmja për qytetin e Beratit dhe territorin e tij?”, ekspozitë e piktorit Klement Zoraqi, një ekspozitë në muzeun e ikonave “Onufri” me titullin “Berati: ikona dhe histori”, si dhe një panair agrobiznesi do të zhvillohen deri në datën 9 maj në Berat.
#