Fullani: Kujdes me taksat dhe borxhin publik, por rritet defiçiti buxhetor
Tiranë- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i ka bërë thirrje qeverisë të bëjë kujdes me politikat fiskale dhe me borxhin publik, pasi sipas tij defiçiti buxhetor është rritur dy herë më shumë se në katër muajt e parë të vitit të shkuar. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit Mbikqytës së BSH-së, ai tha se politikat fiskale është më mirë që të orientohen drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së borxhit publik.
Shpenzimet fiskale shënuan një rritje vjetore prej 9.8%, kryesisht si pasojë e rritjes së shpejtë të shpenzimeve kapitale, ndërkohë që shpenzimet korente ruajnë norma të ulëta të rritjes vjetore. Nga ana tjetër, të ardhurat fiskale kanë shënuar një rritje minimale prej 0.3%, në reflektim të ecurisë së ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Kjo ecuri e shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore është materializuar në një defiçit buxhetor rreth 2 herë më të lartë se në katër muajt e parë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë vëren se politika afatmesme dhe afatgjatë fiskale duhet të orientohet më shumë drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së borxhit publik. Përmbushja e këtij objektivi ndihmon në uljen e pasigurisë dhe të primeve të rrezikut. Borxhi i ulët dhe i kontrolluar publik krijon një ambient më të mirë për iniciativën private, nëpërmjet ruajtjes së normave të ulëta të interesit dhe rritjes së fondeve të disponueshme, duke ndihmuar kështu rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit,- tha Fullani.
Më tej guvernatori deklaroi se të dhënat e fundit ekonomike e monetare tregojnë se presionet inflacioniste vazhdojnë të jenë të dobëta. Sipas tij inflacioni në muajin prill rezultoi 2.3%, duke shënuar një rënie të lehtë në krahasim me muajin paraardhës. Ai tha se ka një rënie të konsumit dhe investimeve private.
Informacioni më i fundit sugjeron se dobësia e aktivitetit ekonomik është mbartur edhe në muajt e parë të vitit 2013. Në balancë, të dhënat e disponuara tregojnë për ecuri të ngadaltë të konsumit dhe të investimeve private. Familjet shqiptare vazhdojnë të shfaqin një tendencë të ulët për shpenzim, të ndikuara nga pasiguria për qëndrueshmërinë e burimeve të financimit dhe nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes së të ardhurave të disponueshme. Në një efekt zinxhir, dobësia e kërkesës agregate, pasiguria e vetë bizneseve për të ardhmen, por dhe kushtet e shtrënguara te kreditimit, nuk kanë inkurajuar ndërmarrjen e investimeve të reja private. Nga ana tjetër, rritja ekonomike në muajt e parë të këtij viti vlerësohet të ketë gjetur mbështetje kryesisht në kërkesën e huaj dhe në kërkesën e sektorit publik,- tha ai.
Sipas Fullanit Këshilli Mbikqyrës vendosi ta mbajë të pa ndryshuar normën bazë të interesit, në kuotën e 3.75%, ndërsa u shpreh se vihet re një rritje të eksporteve dhe rënie të importeve. Sipas tij, eksportet shënuan një rritje vjetore prej 17.2% në tre muajt e parë të vitit, të dominuar nga eksportet në sektorin e energjisë. Nga ana tjetër, importet vazhdojnë të thellojnë rënien e tyre vjetore, rënie e cila për këtë periudhë shënoi vlerën 11.1%.