Fullani: Rreziqet për ata që marrin kredi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pohuar se bankat janë detyruar të mbajnë fonde rezervë për çdo lek të dhënë borxh
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka shpjeguar dje rreziqet e një kredie, aq më tepër në kushtet e krizës globale. Ai ka pohuar se sistemi bankar, për aq kohë sa menaxhon depozitat e qytetarëve, duhet të jetë i sigurt për evitimin e çdo humbjeje të mundshme financiare që lind nga marrëdhënia e akordimit të kredisë. “Shkarazi, mund të them se ekziston një rrezik, i cili lidhet me llojin e monedhës; një i dytë lidhet me ecurinë e çmimeve të kolateralit; një i tretë mund të jetë edhe i ashtuquajturi rrezik operacional, e kështu me radhë. Materializimi i njërit apo disave prej këtyre rreziqeve, do të sillte vështirësi për bankën”,- pohoi dje guvernatori Fullani. Por nga ana tjetër ai siguroi njerëzit që kanë marrë kredi se Banka e Shqipërisë me autoritetin e saj mbikëqyrës e detyron sistemin bankar të krijojë fonde rezervë, për çdo një lek kredi të kërcënuar. E vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm, deklaroi Fullani, ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, ka të bëjë me një lloj pamundësie de facto të disponimit të kolateralit, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme.
Paralelisht me këtë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk harroi të “shpjegojë” edhe njëherë rolet që duhet të luajnë tregu financiar dhe rendi juridik. “Në themel, një sistem ligjor, duhet të sigurojë të drejtat kontraktore dhe të drejtat e pronësisë. Këto të drejta duhet të jenë të parashikuara në mënyrë të qartë, të mbrojtura dhe të paprekshme”, - citoi guvernatori. Në kontekst, Fullani la të kuptohej se, pavarësisht stresit që po kalojnë financat botërore në këtë moment, marrëdhënia klient-bankë mbart në vetvete një rrezik të përhershëm, për amortizimin e të cilave i takon rendit juridik të krijojë një sistem sa më efektiv. “Instrumentet financiare nuk qëndrojnë në vakum”, - citoi Fullani. Për aq kohë sa u shërbejnë njerëzve, ato mbështeten mbi marrëdhënie juridike. Çdo marrëdhënie huaje mbart mundësinë e mospërmbushjes së detyrimit dhe ky rrezik nuk mund të zgjidhet pa një sistem preciz normash, që mbrojnë marrëdhëniet kreditor–debitor”, - shtoi ai. Këto deklarata, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i bëri gjatë një takimi me juristë të bankave që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri dhe ekspertë të institucioneve dhe agjencive publike, që merren me legjislacionin bankar dhe kuadrin rregullativ, si Ministria e Financave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Konkurrencës, etj.
Në kushtet e një stresi ekonomik global, Kuvendi i Shqipërisë përmirësoi disa ditë më parë bazën ligjore për përshpejtimin në kohë dhe lehtësimin në procedurë të marrjes së garancive pronësore ndaj atyre që janë debitorë ndaj bankave. Kjo ndodhi pas sinjaleve që dha Banka e Shqipërisë për luhatjen e lehtë që pësoi muajt e fundit kredia e ashtuquajtur e “keqe”, të cilën bankat e konsiderojnë të humbur.
Në mbështetje të idesë se, për të pasur një ecuri të mirë ekonomike, duhet edhe një sistem i mirë ligjor, Fullani deklaroi se, dialogu midis tregut bankar dhe sistemit ligjor ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për një komb, rëndësi që në zhvillimet e sotme bëhet jetike. Që vendi ynë të vazhdojë të lundrojë drejt brigjeve të sigurta të zhvillimit ekonomik, stabilitetit financiar dhe prosperitetit, besoj se i nevojiten të dyja rremat: rendi juridik dhe tregu financiar.
Sipas specialistëve të pranishëm në takim, edhe pse kredidhënia në tregun bankar shqiptar, është në nivele të kënaqshme, ajo do të ishte edhe më e lartë nëse kredimarrësit do të kishin mundësi të përdornin pa problem pasuritë e paluajtshme si kolateral për të mbuluar kredinë e marrë nga banka. Në shumicën e rastit janë shtëpitë e banimit ato më të përdorshmet, thonë specialistët. Aktualisht, në të gjithë vendin ekzistojnë qindra banesa, të cilat nuk janë regjistruar në hipotekë. Personat që realisht i kanë blerë ato, janë vetëm “de facto” pronarë të tyre, pasi “de jure” ato banesa nuk njihen si pronë e atyre që i kanë blerë. Ky është edhe ngërçi që duhet zgjidhur, bëjnë me dije specialistët. Në këtë mënyrë do të zhbllokohej kredidhënia dhe bankat do të ishin më të sigurta dhe më të predispozuara në dhënien e kredive.
FULLANI
“Të zgjidhet problemi i pasurive të lëna peng”
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka kërkuar bashkëpunimin e drejtësisë për të kontribuar në krijimin e lehtësirave për funksionimin sa më normal të ekonomisë vendase. Duke u ndalur në rrezikun që mbartin burokracitë e stërzgjatura për zgjidhjen konflikteve gjyqësore me sfond ekonomik, Fullani deklaroi se, paralizimi i titullit të pronësisë dhe tejzgjatja e konflikteve gjyqësore, kanë ndikuar drejtpërdrejt në dekurajimin e mbështetjes së ekonomisë me kredi bankare. Sipas tij, e vetmja gjë ku Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar ndjehen të pafuqishëm dhe që kërkojnë ndihmën e gjyqësorit, ka të bëjë me mosekzekutimin e kolateralit, e cila konsiston në një lloj pamundësie “de facto” të disponimit të tij, sidomos kur bëhet fjalë për një kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme. “Në këtë vazhdë, tregu bankar dhe ai financiar nevojitet të ndërtohen dhe zhvillohen paralelisht me sistemin ligjor. Nuk mund të ketë transaksione financiare vendase apo ndërkufitare, nëse nuk ka siguri në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave kontraktore”, - tha guvernatori.
Konfindustria ka kërkuar përshpejtimin e procedurave të marrjes së pasurisë pronësore të debitorëve të bankave
Kreditë e këqija, Kuvendi të ndryshojë ligjet
TIRANË- Konfindustria ka shprehur dje mbështetjen për miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të përmirësimit të domosdoshëm të bazës ligjore për përshpejtimin në kohë dhe lehtësimin në procedurë të marrjes së garancive pronësore për debitorët e bankave. "Rritja në masën mbi 30 për qind e kredive me probleme, në harkun kohor të një viti (qershor 2007-qershor 2008), është mjaft shqetësuese dhe flet qartë për domosdoshmërinë e ndërtimit të strategjive dhe marrjes së masave sa më të shpejta ndëshkuese dhe parandaluese jo vetëm nga Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare, por edhe gjithë vendimmarrja politike", - theksohet në një reagim të Konfindustrias. Sipas saj,"Banka e Shqipërisë, duhet të ushtrojë në mënyrë të plotë të drejtat e saj ligjore me masa të ashpra mbi bankat e nivelit të dytë dhe stafin menaxherial të tyre, në të gjitha rastet e keqpërdorimit të dukshëm të parave të shqiptarëve, të depozituara në banka". Për këtë, "miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i kërkesave për përshpejtimin e procedurave të marrjes së pasurisë pronësore të debitorëve të bankave, është një hap i nevojshëm, por i pamjaftueshëm për të përballuar problematikën shqetësuese të sigurimit të qëndrueshmërisë së sistemit bankar shqiptar, në një periudhë afatgjatë",- thuhet në reagimin e Konfindustrias.