Prodhim i Beogradit dhe Rusisë
“6-PIKËSHI” NË KOSOVË
Dëshirojmë që vërtet EULEX-i të shtrihet në tërë Kosovën. Por, gjashtë pikat e ofruara nga marrëveshja e Sekretarit të Përgjithshëm me Beogradin, janë thjesht një dokument që nuk premton stabilitet në Kosovë, nuk premton stabilitet as në rajon dhe krijon probleme edhe për sot, edhe për të ardhmen. Kjo është arsyeja që ky dokument është hedhur poshtë nga të gjitha institucionet e Kosovës. Jemi të bindur se, tanimë, ai dokument ashtu siç është, është i papranueshëm.
Në fund të fundit nuk garanton funksionim as të EULEX-it, si një instrument i BE-së për të monitoruar tri segmentet e fuqishme në Kosovë: doganat, sistemin gjyqësor dhe sistemin e sigurisë. Zgjidhja më e mirë është që, thjesht EULEX-i të vendoset mbi bazën e dokumentit të z. Ahtisari dhe mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve që janë miratuar në Kuvend.
Për ne, është i vonuar funksionalizimi i EULEX-it; dëshirojmë që ai të funksionalizohet sa më shpejt. Për këtë ne kemi miratuar ligje me proceduara të shpejta për të krijuar edhe hapësirë ligjore, për të vepruar EULEX-i. Ne dëshirojmë që EULEX-i të vendoset në tërë Kosovën, pa qenë i parcializuar, pa qenë neutral, se nuk mund të jetë neutral.
Kosova është shpallur më 17 shkurt shtet i pavarur. Është pranuar nga shumë shtete të OBK-së, nga shtetet më të fuqishme në aspektin ekonomik edhe të demokracisë. Mendojmë se e vetmja zgjidhje e drejtë dhe mundshme, është që EULEX-i të shtrihet mbi bazën e dokumenteve që janë fuqi dhe mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës.
Por, mbi Kosovën po bëhet presion jodemokratik dhe antikushtetues. Është një e vërtetë e madhe. Ky presion është jodemokratik, për faktin se ky dokument është prodhim i politikës së Beogradit dhe i pengesave që janë bërë nga Rusia. Dhe, në ketë drejtim, mendoj që burimin dhe fillimin e ka jodemokratik, nga vende jodemokratike dhe nga vende që dëshirojnë të rikthejnë proceset; nga vende që, thjesht, Kosovës dhe proceseve demokratike, i kanë bërë të themi, pengesa të mëdha. Nga kjo jam nisur kur kam thënë se është presion jodemokratik.
Institucionet e Kosovës, kanë marrë përgjegjësinë nga qytetarët për të krijuar institucione funksionale. Dhe mënyra sesi kërkesa po bëhet, faktikisht nuk ndihmon krijimin e institucioneve funksionale, por të institucioneve paralele që gjithnjë do të jenë faktor i destabilitetit dhe pasigurisë në atë pjesë.
Mendoj se Prishtina është treguar mjaft e kujdesshme. Ne jemi të interesuar që ta ruajmë kontinuitetin dhe bashkëpunimin me Brukselin dhe Nju Jorkun edhe me Uashingtonin. Por, nuk mund të bëhemi përgjegjës për diçka që është e dëmshme, diçka që nuk funksionon dhe që prodhon destabilitet. Nuk dëshirojmë të kemi marrëdhënie të acaruara me asnjë faktor që na ka ndihmuar në procese, por kemi edhe obligim që të japim kontributin tonë për të krijuar pozicion të ri dhe funksionalizim të institucioneve në Kosovë.