E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE korrigjon Bosch: Kodi është arritje

OSBE: Kodi i ri zgjedhor duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim

TIRANË- Ka qenë një kaos i vërtetë qëndrimi i prezencës së OSBE-së në Tiranë, lidhur me qëndrimin për Kodin e ri Zgjedhor. Si asnjëherë tjetër, misioni i OSBE-së ka zbutur jo pak deklaratën e mbajtur nga vetë Ambasadori OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch për kodin e ri zgjedhor. Ndërkohë që Bosch, i pyetur për mediat, ka shfaqur qëndrim kritik rreth kodit zgjedhor, prezenca e OSBE-së, vetëm pak orë më vonë, përmes një njoftimi për shtyp, e ka konsideruar kodin e ri si një arritje. Ende mbeten të paqarta arsyet e dy qëndrimeve, deri diku të ndryshme, të mbajtura nga OSBE-ja, pasi qëndrimi i shfaqur nga ambasadori Bosch, në një prononcim për mediat ishte shumë më kritik sesa ai i raportuar zyrtarisht. “OSBE/ODIHR-i bëri disa rekomandime në 2005-n, që ishin arritja e një administrate pluraliste gjithëpërfshirëse dhe të gjitha partitë politike duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën në baza të barabarta. Çdo element diskriminues për to duhet përjashtuar nga kodi elektoral. Për këtë arsye, shpresoj që drafti i kodit të ri elektoral do të diskutohet gjerë e gjatë, së pari në komisionin e ligjeve dhe pastaj në parlament. Mendoj se ka shumë gjëra që mund të diskutohen në draftin aktual, sepse nuk është saktësisht një dokument që mund ta quaj të shkëlqyer”, - tha dje Bosch, i pyetur nga përfaqësues të medias. Ambasadori i OSBE-së shtoi se është më tepër një punë në zhvillim dhe nuk është përfunduar, që do të thotë se, sipas tij, ka ende vend për diskutim. Madje, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, ka mohuar gjithashtu që të ketë pasur një rekomandim të vazhdueshëm nga ky organizëm për reduktimin e numrit të komisionerëve, qëndrim ky i shprehur dy ditë më parë nga ekspertët e dy partive të mëdha në hartimin e kodit zgjedhor. “Sa për reduktimin e numrit të komisionerëve, nuk e kemi rekomanduar. Donim ta bënim në fillim, sepse përfaqësimi i partive politike ishte paksa i tepërt”,- tha Bosch. Ndërkohë, vetëm pak orë më pas, prezenca e OSBE-së në Tiranë, përmes një njoftimi për shtyp, ka sqaruar pozicionin zyrtar të këtij organizmi. Në këtë deklaratë thuhet se drafti është një arritje, porse ka nevojë për t’u akorduar më mirë. Madje, OSBE-ja rekomandon që kodi duhet të diskutohet pa presione nga ndonjë grupim. “Prezenca e OSBE-se përsërit sërish se është e mendimit se drafti i kodit zgjedhor, i cili është përgatitur nga vetë shqiptarët, është një arritje, por se ai ka ende nevojë për t’u akorduar më mirë. Për këtë arsye, ai duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim”,- thuhet në deklaratën zyrtare tëOSBE-së. Gjithashtu, OSBE-ja thekson se kodi zgjedhor duhet të jetë vendim i parlamentit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›