E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Xhindit, banorët e Roskovecit, peticion Ina Ramës

Banorë të Roskovecit i janë drejtuar Kryeprokurores Ina Rama me një peticion, ku i kërkojnë zbardhjen e vrasjes së ish-deputetit të zonës së tyre, Fatmir Xhindi. Në orët e paradites së djeshme, një grup banorësh janë paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ku 7 muaj pas vrasjes së ish-deputetit kanë kërkuar të dorëzojnë një peticion në emër dhe të firmosur nga bashkëfshatarë të të ndjerit Xhindi, ku kërkojnë të dinë çfarë po bëhet gjatë kësaj kohe për zbardhjen e këtij krimi. Reagimi i banorëve vjen një ditë pas deklaratës së drejtorit të Departamentit të Hetimit të Krimit, Agron Kuliçaj, i cili deklaroi se për vitin 2010 kanë si prioritet zbardhjen sa më parë të këtij krimi të rëndë që tronditi 2 majin e këtij viti qytetin e Roskovecit. Gjithashtu, banorët janë shprehur se janë gati të futen në grevë urie nëse kjo çështje nuk zbardhet, derisa të gjendet autori i këtij krimi.

Peticioni

Përfaqësues të banorëve të zonës së Kurjanit, të cilët për tri legjislatura zgjodhën Xhindin t’i përfaqësonte në Kuvend, kanë hartuar një peticion, ku kërkojnë angazhimin më të madh të strukturave të prokurorisë për zbardhjen e krimit të ndodhur natën e 2 majit pranë banesës së tij në Roskovec. Ka qenë shtetasi Mystehak Haxhia, banor i zonës, i cili dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme peticionin e firmosur nga 1500 bashkëfshatarë të ish-deputetit socialist. “U bënë kaq muaj që kjo ngjarje nuk është zbardhur. Me këtë peticion kërkojmë nga prokuroria të angazhojë më tepër strukturat e saj për zbardhjen e vrasjes”, - deklaroi Mystehak Haxhia pas dorëzimit të peticionit në organin qendror të akuzës. Në peticion banorët theksojnë se institucionet e drejtësisë janë të vonuara në zbardhjen e kësaj çështjeje dhe kërkojnë reagimin e tyre. “Duke dëgjuar ish-ministrin e Rendit që deklaroi pak ditë më parë se zbardhja e vrasjes së Xhindit është çështje ditësh, pritëm se mos zbardhet ndonjë e vërtetë, por realisht jo. Ndaj kemi ardhur këtu me këtë peticion t’ia dorëzojmë Prokurores së Përgjithshme”, - vazhdon më tej Mystehak Haxhia, i cili shpreh dhe indinjatën dhe sensibilitetin e komunitetit për moszbardhjen e vrasjes. Madje, në deklaratën e tij për mediat, Haxhia ka shkuar më tej, duke shtuar se nëse kjo vrasje nuk zbardhet, atëherë ata si banorë do futen në grevë urie derisa të gjendet autori. Vrasja e Fatmir Xhindit, ish-deputet i PS-së, ndodhi natën e 2 majit, teksa ai po hynte në banesën e tij me makinë. Policia ende nuk ka identifikuar autorët e kësaj vrasjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›