Largimet e administratës, shteti paditet 122 herë
Largimet e fundit të administratës shtetërore kanë sjellë një mori kërkesash për “padi për marrëdhënie pune” në Gjykatën e Tiranës. Prishja e kontratës së punës në mënyrë të njëanshme ka sjellë që qeveria dhe ministritë e linjës të paditen në Gjykatën e Tiranës. Objekti është detyrimi për pagën e një vitit të personit që është hequr nga puna dhe përfitimet e tjera që njeh ligji për ndërprerje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënieve të punës. Megjithatë, personat që kundërshtojnë largimin nga puna kërkojnë edhe dëmshpërblime të ndryshme, si dhe rikthim të menjëhershëm në vendet ku kanë qenë. Në Gjykatën e Tiranës rezulton se janë duke u shqyrtuar 350 padi. Kërkesat janë depozituar gjatë vitit të kaluar, por ka pasur edhe padi të reja gjatë dy muajve të parë të vitit 2010. Mësohet se gjatë këtij viti 122 punonjës të administratës shtetërore i janë drejtuar gjykatës që kërkojnë shpërblime të majme.
GjykataAktualisht, në Gjykatën e Tiranës, gjatë këtij viti janë regjistruar në harkun kohor 1 janar - 11 mars 122 padi të reja. Në këtë rast paditës janë persona që kanë punuar në funksione të larta të administratës shtetërore kryesisht në ministritë e linjës, por edhe në Kryeministri dhe Parlament. Këta persona kundërshtojnë largimin në mënyrë të padrejtë nga puna dhe kërkojnë t’u kompensohet dëmi financiar nga prishja e njëanshme e kontratës. Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip” krahas nëpunësve të administratës shtetërore, paditës janë edhe mjekë, ushtarakë, persona që kanë punuar në drejtoritë e shërbimeve postare, si dhe në shumë vende të tjera. Krahas “padive për marrëdhënie pune” në gjykatë janë regjistruar edhe shumë padi që kundërshtojnë vendimet e ministrave të linjës që kanë hequr nga puna persona të administratës. Largimet nga puna të personave kanë “përplasur” disa kohë më parë qeverinë me opozitën, e cila këmbëngul se largimet e padrejta nga administrata publike i shkaktojnë buxhetit të shtetit një dëm miliona lekë në vit. Opozita ka këmbëngulur se këto largime duhet të hetohen nga vetë organi i Prokurorisë së Përgjithshme, pasi i shkaktojnë një dëm të madh shtetit. Sipas të dhënave zyrtare, për çdo vit shteti paguan rreth 340 nëpunësish, megjithëse nuk kanë asnjë detyre dhe vlera e rrogës dhe shpërblimeve të tjera që mund të përfitojnë llogaritet deri në miliona euro. Për këto abuzime është kërkuar që të fillojë një hetim penal për shpërdorim detyre ndaj të gjitha ministrive apo titullarëve të institucioneve të shtete që paguajnë fatura dyfishe për një vend pune.
PaditëGazeta “Shqip” mori statistikat ndër vite për largimet nga administrata. Rezulton se gjatë këtij viti 43 persona të larguar nga puna kanë fituar “betejën” dhe duhet të dëmshpërblehen. Por shifrat janë të larta edhe gjatë viteve të kaluara. Kështu, në vitin e kaluar, 273 nëpunës shtetërorë janë paguar, megjithëse janë hequr nga puna. Në vitin 2008, Gjykata e Kryeqytetit i ka dhënë të drejtë 237 personave të fitojnë dëmshpërblim, ndërsa në vitin 2007 janë dëmshpërblyer 317 nëpunës të administratës që janë larguar në mënyrë të padrejtë. Në vitin 2006 janë regjistruar në gjykatë 588 kërkesa, ndërsa janë pranuar 287 kërkesa për dëmshpërblim. Ndërsa në vitin që Partia Demokratike ka ardhur në pushtet janë regjistruar 208 kërkesa dhe janë pranuar 128. Numri më i vogël se të gjitha vitet, për shkak se pushteti u mor në muajin korrik. Krahas të dhënave të marra ndër vite, numri i personave të dëmshpërblyer është më i lartë, pasi disa persona kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit dhe jo kundërshtimin e heqjes nga puna.
#