Vjedhja e energjisë, pushohen 100 faturistë
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, OSSH ka pushuar nga puna 100 faturistë duke i ndëshkuar kështu për gabimet me faturat e energjisë. Në listën e larguarve nga kjo kompani është edhe drejtori i shitjeve Sokol Hysenaj. Faturat marramendëse që janë detyruar të paguajë konsumatorët kanë zbardhur skemën e vjedhjes të kryer nga
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i cili deklaroi dje se do të kompensojë të gjithë rastet e faturimit të energjisë për të cilët vërtetohet se ka pasur abuzim. Sipas OSSH vlera e shtuar mbi faturat do tu zbritet konsumatorëve në faturat e muajit mars ose prill. Lajmi është bërë i ditur gjatë një konference nga Drejtori i Përgjithshëm i OSSH, Jozef Hejsek.
Verifikimet
Kompania CEZ Albania bëri të ditur dje se po punon për verifikimin e të gjitha çështjeve të pazgjidhura brenda OSSH-së, të cilat midis të tjerave, kanë të bëjnë me kulturën e vjetër të punës të punonjësve të OSSH-së. Duket se OSSH ka përdorur këtë deklaratë për të faturuar përgjegjësitë për vjedhjet me anë të faturave faturistëve. OSSH pretendon se ka një sistem faturimi shumë problematik, për të cilin po punohet për ta rindërtuar. Ndërsa ankesat e qytetarëve për faturat dhe pamundësinë për të ballafaquar faturën me matësin e justifikon me performancën e keqe të shumë faturistëve, të cilët u larguan dhe nga puna. Faturistët e larguar nga puna do të kallëzohen nga punëdhënësi i tyre. Sipas përfaqësuesve të OSSH mësohet se personat e pushuar do të kallëzohen në prokurori ndërkohë që do të zëvendësohen me punonjës më të kualifikuar.
Përllogaritja
Me gjithë gabimet e leximin e matësve të rreth 5300 konsumatorëve dhe përllogaritjes me çmimin e ri të faturave të dhjetorit OSSH ka shkarkuar përgjegjësitë për situatën. Ne duam të sqarojmë edhe një herë që OSSH i ka llogaritur faturat e janarit me të njëjtën metodologji dhe me të njëjtin sistem të dhënash si në të kaluarën. Duam të bëjmë qartë dhe të theksojmë që nuk ka pasur asnjë udhëzim apo urdhër të dhënë nga CEZ që të ketë sjelle situatën aktuale. CEZ është këtu për të krijuar një operator të shpërndarjes së energjisë që funksionon sipas standardeve me të larta ka pohuar dje drejtori i kompanisë ceke. Më pas ai ka pranuar se OSSH është një kompani me shumë probleme, por të ato janë akumuluar për vite me radhë dhe sigurisht nuk mund të zgjidhen për pak muaj.
Këqyrja e aparateve matës
Praktika e ndjekur nga OSSH dhe Prifti duke u mohuar qytetarëve për të parë matësit, shkel disa nene të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Neni 8 i ligjit për mbrojtjen e konsumatorit parashikon se prodhuesit, shitësit dhe ofruesit e shërbimeve janë të detyruar, në kufijtë e veprimtarive përkatëse, t'i japin konsumatorit të dhëna të plota për blerjen ose përdorimin e mallrave a te shërbimeve ekzistuese në treg. Të dhënat duhet të jenë të vërteta, të sakta, të qarta për të gjitha karakteristikat e mallrave ose të shërbimeve dhe për kushtet e tregtimit të tyre. Këto të dhëna duhet të përmbajnë natyrën, identitetin e prodhuesit, çmimin, cilësinë, sasinë, dobinë, origjinën, afatin e përdorimit, mënyrën e prodhimit dhe të përdorimit, mënyrën e mirëmbajtjes dhe garancinë. Gjithashtu subjekti duhet të paralajmërojë konsumatorin për rrezikun e mallit ose të shërbimit, kur rreziqet nuk janë të kuptueshme, parashikon pika 2 e nenit 8.