E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Të reflektohetpolitika monetare

TIRANE- Bankat e nivelit të dytë duhet të orjentojnë normat e interesit për produktet dhe shërbimet e tyre, vecanërisht kreditë dhe depozitat, në bazë të vendimeve të Bankës së Shqipërisë për koston e lekut e cila aktualisht është në nivelin 5.25%.

Gjatë një takimi me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, Guvernatori Fullani ka bërë apel për një politikë më të mirë të politikës monetare nga sistemi bankar, një filozofi kjo që sipas tij do të ulë nivelin e rrezikut dhe do të ndihmojë në parashikimet për ekonominë.

“Shënjestrimi i normave të interesit në tregun ndërbankar paraqitet si një alternativë praktike. Një filozofi e tillë operacionale udhëhiqet nga nevoja e orientimit të normave të shkurtra të interesit në tregun bankar afër normës bazë të interesit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Si e tillë ajo i shërben më mirë kontrollit të horizontit afatshkurtër të kurbës së normës së interesit duke e bërë më transparent aktivitetin e politikës monetare dhe njëkohësisht duke dhënë sinjale të qarta për aktivitetin ekonomik të vendit. Orientimi i operacioneve tona drejt stabilitetit të normave të interesit në tregun ndërbankar do ti shërbejë funksionimit më të qetë të tregut ndërbankar ” theksoi Guvernatori Fullani.

Eksperienca e deritanishme ka treguar se bankat tregtare i kanë reflektuar me vonesë ndërhyrjet që Banka e Shqipërisë ka bërë në normën bazë të interesit. Rasti i fundit ishte ulja që ju bë kostos së lekut në tetor të vitit 2009. bankat e pasqyruan këtë vendim me ulje të interesave të kredive dhe depozitave disa muaj më vonë, për shkak edhe të situatës së vështirë ekonomike në vend dhe në arenën ndërkombëtare.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›